FDE i propozon Topit firmosjen e Aktit të Mirëbesimit me partitë politike
Forumi për Demokraci dhe Etikë i ka propozuar Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që të ftojë kryetarët e partive politike të përfshira në fushatën elektorale që të firmosin një Akt Mirëbesimi. Në njoftimin për shtyp FDE-ja bën të ditur se firmosja e Aktit të Mirëbesimit nga të gjitha partitë politike do të japë garanci për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në përputhje me standardet europiane. “Pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, lajmi më i mirë që kemi marrë në këto 18 vjet tranzicion është liberalizimi i vizave dhe nevoja e lyp që të realizojmë zgjedhje të lira, të qeta dhe të pranueshme nga të gjitha palët. Integrimi europian i Shqipërisë do të përshpejtohet vetëm nëse zgjedhjet e qershorit do të respektojnë standardet e një demokracie europiane funksionale. Testi për ne janë pikërisht këto zgjedhje”, - theksojnë përfaqësues të FDE-së. Në Aktin e Mirëbesimit kërkohet që të gjitha partitë të angazhohen në përmbushjen e standardeve në zgjedhje dhe të mos kontestojnë rezultatin, cilido qoftë ai. Në këtë dokument theksohet se edhe nëse vërehen parregullsi në zgjedhje, partitë t’u drejtohen institucioneve kompetente për zgjidhjen e çështjes, duke mos lejuar ndonjë incident sporadik të cenojë standardin e zgjedhjeve.
Ndoka zhvillon miting madhështor në Vaun e Dejës
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka zhvilluar dje një miting madhështor në vendlindjen e tij, në Vaun e Dejës. Në hapjen e mitingut Ndoka ka kërkuar të mbahet një minutë heshtje në kujtim të të ndjerit Aleksandër Keka, i cili u vra pak ditë më parë. Më tej kreu i PDK-së u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike, që të gjykojnë me gjakftohtësi dhe të mos e shpërdorojnë votën duke ua dhënë atyre që mbjellin frikë dhe shantazh apo atyre personave që vetëm për interesat e tyre të ngushta nuk duan përparimin e mëtejshëm të Vaut të Dejës dhe zonave të tjera në Shkodër. “Unë jam biri juaj. Jam rritur në këtë zonë në fëmijërinë time, por jam rritur me votën tuaj dhe në politikë. Nuk vij të kërkoj votat tuaja thjesht me fjalë. Ju kërkoj të më gjykoni nga veprat. Kam bërë dhe ju premtoj se në të ardhmen do të jem shumë më shumë i motivuar dhe me projekte konkrete për zhvillimin e zonës. Nuk ju kam zhgënjyer dhe nuk do t’ju zhgënjej as në të ardhmen”, - ka nënvizuar Ndoka në këtë takim. Gjatë ditës së djeshme kreu i PDK-së kontestoi largimin e vëzhguesve të kësaj partie nga KZAZ-të e Shkodrës. Ndoka u shpreh se largimi i vëzhguesve të PDK-së është shkelje e Kodit Zgjedhor dhe i bëri thirrje OSBE/ODIHR-it të reagojnë për këto shkelje.
Berisha përuron TEC-in e Vlorës: “Së shpejti do të ndërtojmë TEC-in e Durrësit”
Kryeministri Berisha preu dje shiritin e përurimit të një tjetër investimi të rëndësishëm energjetik për vendin, siç është TEC-i i Vlorës, ndërsa premtoi se qeveria së shpejti do të ndërtojë TEC-e të tjera duke filluar me Durrësin.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryeministri Berisha theksoi se ndërtimi i TEC-it përbën një ngjarje shumë të rëndësishme për potencialin turistik, industrial dhe të gjithanshëm të Vlorës dhe bregut shqiptar. Kryeministri tha se TEC-i është një dëshmi e përpjekjeve të qeverisë, jo vetëm për të mos i kthyer më kurrë ndërprerjet e energjisë elektrike në vend, por për t’u bërë një vend eksportues i energjisë. “Ndërtimi i këtij TEC-i është vetëm hapi i parë i madh në drejtim të ndërtimit të TEC-ve të tjera. Shqipëria nuk do të qëndrojë kurrë në monokulturë energjike. Do të diversifikojmë prodhimin dhe burimet energjetike me vendosmërinë më të madhe. TEC-i ishte prova e parë e suksesshme. Në shtator inaugurohet dhe hyn në punë plotësisht”, - është shprehur Berisha. Kryeministri garantoi se, në sajë të teknologjisë më moderne, TEC-i i Vlorës ruan dhe respekton maksimalisht mjedisin. Në vijim të vizitës në qytetin e Vlorës, kryeministri Berisha inauguroi rrugën e re të Bregut. Duke e vlerësuar rrugën, si një ndër më të bukurat në Shqipëri, kryeministri tha se rruga do të rigjallërojë dhe do të shumëfishojë ndjeshëm potencialin turistik të fshatrave të Bregut. Duke iu drejtuar banorëve të Dhërmiut, kryeministri Berisha tha qeveria është e vendosur që në mandatin e dytë të krijojë në fshatrat e Bregut, standardet më të mira të mikpritjes dhe të jetesës duke i shndërruar ato, në qendra të fuqishme të turizmit në Shqipëri. Gjatë mbrëmjes së djeshme Berisha zhvilloi një miting në qytetin e Vlorës ku premtoi rritjen e investimeve për zhvillimin e këtij qyteti.
24 Qershor 2009