Gjinushi: “Ftesa e Metës është dëshpëruese“
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, gjatë një takimi elektoral të zhvilluar në qarkun e Lezhës ka komentuar ftesën e liderit të LSI-së për t’u takuar me të gjithë faktorët e së majtës, për të bashkëpunuar për largimin e kryeministrit Sali Berisha. Gjinushi e ka cilësuar ftesën e kreut të LSI-së si një ftesë dëshpëruese. “Ftesa e Ilir Metës është një ftesë dëshpëruese, taktikë që bëhet nga halli; kjo është një lëvizje vetëm për të shpëtuar Metën, i cili duke e ndjerë që tashmë votuesit e kanë kuptuar që nuk do të bëjnë më gabimin e 2005-s, që duke votuar Metën votuan pa dashje për Berishën, pra çuan në humbjen e së majtës, pra që LSI-ja çante votën. Nanos dhe Metës mund t’i thuash vetëm një gjë: në qoftë se ata do të kishin këtë vullnet që mos të ndahej e majta, po të ishin takuar një javë para, në 2005-n Berisha nuk vinte në pushtet”, - tha Gjinushi.
24 Qershor 2009