E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu në Durrës: “Gjatë mandatit të dytë do të thellojmë reformat”



Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, gjatë turit të tij elektoral është ndalur dje në një takim në qytetin e Durrësit ku premtoi se e djathta, gjatë mandatit të dytë, do të thellojë reformat e rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Në prani edhe të kandidatëve për deputetë për këtë qark, ndër të cilët edhe Artur Hasanbelliun, Mediu iu drejtua durrsakëve dhe të gjithë shqiptarëve që më datë 28 të shkojnë të votojnë, të votojnë Nr. 16, Partinë Republikane, për një mandat të dytë qeverisës për të djathtën, për të vijuar me të tjera reforma të suksesshme, në vijim të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në investime të tjera në infrastrukturë dhe me finalizimin e të gjitha këtyre me anëtarësimin në BE. “Partia Republikane është partia e njerëzve të mirë. E djathta ka vend për të gjithë, i jep shansin politik çdo shqiptari pa dallim”, - theksoi Mediu.

Topalli në Barbullush: “Në mandatin e ardhshëm më shumë punësim”

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka zhvilluar një takim elektoral me banorët e Barbullushit, ku gjatë fjalës së saj vuri sërish theksin në prioritetin kryesor të maxhorancës së djathtë për mandatin e ardhshëm që është hapja e vendeve të reja të punës. Topalli tha se në mandatin e dytë, në komunën e Barbullushit do të ketë investime në vlerën e 160 milionë eurove. Duke vijuar më tej kryetarja e Kuvendit dhe nënkryetarja e Partisë Demokratike tha se këto investime do të sjellin më shumë punësim, më shumë të ardhura, më shumë mirëqenie. “Unë besoj se komuna juaj është një komunë që ka thyer të gjitha rekordet, në shtrimin e rrugëve, në ndërtimin e shkollave të reja, në ndërtimin e ambulancave, të qendrave shëndetësore, të kabinave elektrike, të kanalizimeve, të ujësjellësve dhe ju këtu do të keni në mandatin e dytë një investim tjetër të madh që kap një shifër prej 160 milionë eurosh”, - është shprehur Topalli.

Bregu dhe Mima në fabrikën “Filanto”: Do të heqim tatimin për pagat minimale

Kandidatët e Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës, Majlinda Bregu, Florion Mima, Viktor Gumi dhe Indrit Fortuzi, u takuan me punonjës dhe administratorët e fabrikës së këpucëve “Filanto”, në rrugën “Don Bosko” në kryeqytet. Kandidatët e PD-së u njohën me kushtet e punës dhe ndryshimet që ka pësuar ky biznes pas uljes së taksave dhe furnizimit pa ndërprerje me energji elektrike. Pronarët e fabrikës “Filanto” deklaruan se 4 vjet më parë shpenzonin 7-8 milionë lekë në muaj për të vënë në punë gjeneratorët.
Ndërsa punonjëset e fabrikës pohuan se 4 vjet më parë paguheshin rreth 10 mijë lekë të rinj në muaj, ndërsa tani paga e tyre është rritur 80%. Kandidatët e PD-së në Tiranë, Majlinda Bregu dhe Florian Mima, deklaruan se në mandatin e dytë qeveria do të rrisë pagën minimale dhe do të ulë tatimin për pagën nën 20 mijë lekë.

24 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›