Skenarët që priten të sjellin “ndryshimin” pas zgjedhjeve parlamentare
Claude Moniquet*
Tashmë Shqipëria është zyrtarisht e anëtarësuar në NATO. Pak javë më parë ajo paraqiti kërkesën për statusin e vendit kandidat të BE-së. Këto janë momente të një profili të lartë për një vend të vogël dhe të harruar në Ballkan, i cili ka një të kaluar të afërt me diktaturën për disa dekada gjatë periudhës komuniste. Gjithashtu, ajo është mjaft në revansh, sipas kryeministrit të njohur Sali Berisha (kryetar i PD-së), që mbahet mend për presidencën e 12 viteve më parë, e cila u shoqërua me skandalin e piramidave financiare, të cilat e çuan vendin në një luftë civile që përfundoi me më shumë se 2000 të vdekur dhe me një eksod masiv emigrantësh nëpër botë.
Pas më pak se një jave do të mbahen zgjedhjet parlamentare, të cilat do të nxjerrin 140 deputetët e Kuvendit, ndërsa klasa politike në pushtet vazhdon të pretendojë dhe të premtojë ndryshimin. Përveç kësaj, në emër të ndryshimit që të dyja partitë kryesore, në dhjetor të vitit 2008, përpunuan rrënjësisht Kodin Zgjedhor duke synuar institucionalizimin e sistemit politik dypartiak të PD-së dhe PS-së.
Ndonëse kjo reformë synoi dhënien fund të fragmentarizmit të klasës politike shqiptare, ajo ruan në të vërtetë fuqizimin e padiskutueshëm, mundësinë e pakufizuar dhe pushtetin e dy udhëheqësve kryesorë, të PD-së dhe PS-së. Për këtë, shumë personalitete politike të këtyre 20 viteve të fundit janë përjashtuar nga listat zgjedhore.
“Ndryshimi” – lajtmotivi i fushatave elektorale
Duke ndjekur shembullin e formacionit politik të përgjithshëm, Sali Berisha vazhdon të premtojë te shqiptarët “ndryshimin”. Në të vërtetë, në një shikim të shpejtë dhe të përgjithshëm, sloganet e adoptuara nga dy koalicionet e partive, në përmbajtjen e tyre, nuk kanë dyshim se të largojnë nga objektivat e tyre të “ndryshimit”. Koalicioni i PD-së quhet “Aleanca për ndryshim”, ndërsa koalicioni i grupuar rreth Edi Ramës, kryetar i PS-së dhe njëherësh kryetar i Bashkisë së Tiranës, e quan veten “Bashkimi për ndryshim”. Veç kësaj, analizat e programeve të PD-së dhe PS-së konfirmojnë këtë dëshirë. (Slogani i PD-së: “Shqipëria po ndryshon”; slogani i PS-së: “Politika e re për ndryshim”).
Njëherë e një kohë, pas rënies së regjimit komunist, dikush ka thënë se shoqëria shqiptare dhe shteti kanë kaluar ndryshime rrënjësore. Por, mbi të gjitha, a ka ndryshuar akoma populli shqiptar? Nëse po, në çfarë drejtimi? Një ekspert i çështjeve shqiptare sqaron: “Klasa politike shqiptare, në mënyrë të vazhdueshme, pretendon për ndryshim ndonëse popullsia e saj ka qenë e çorientuar nga transformimet e vrazhda të shoqërisë dhe është në kërkim të stabilitetit”.
Udhëheqësi i PD-së ka ardhur në krye të qeverisë që prej vitit 2005, pasi ai premtoi për një farë ndryshimi të mëtejshëm! “Këto katër vitet e tjera do të shënojnë zhvillimin në vendon tonë (....)”. Në këtë mënyrë, ndonëse vendi është duke u përballur me vështirësi ekonomike serioze, kryeministri, në fund të mandatit të tij, parashikon një program të madh reformash; punësim në sektorin publik, rritje të pagave dhe pensioneve etj. Çdokush mund të habitet në mënyrë të ligjshme rreth lehtësisë së këtyre objektivave tani që qeveria është futur në borxhe dhe që ka ndër mend të marrë edhe borxhe të tjera. I gjithë borxhi i vendit ka arritur në rreth 6 miliardë euro, ose 56% e GPD-së dhe tani nuk është duke zbritur për shkak të krizës ekonomike, e cila po godet disi aftësinë e vendit për të shlyer borxhin e jashtëm. Megjithatë, Sali Berisha premton, mes gjërave të tjera, edhe rritjen e buxhetit për punët publike. Fatkeqësisht, rritja e buxhetit mbetet e vështirë, duke u njohur me objektivat ekonomikë që pritet të arrihen për hir të anëtarësimit në BE. Por, mbi të gjitha, Shqipëria vazhdon të mos përfillë këshillën e FMN-së, e cila ka kërkuar që të reduktojë investimet publike. Përfundimisht, ashtu siç thekson Ervin Qafëmolla, dikush do ta thotë se ekspertët e pavarur e kanë parashikuar rënien e investimeve të huaja direkte, të cilat janë një lajm i keq për Shqipërinë, ashtu si fuqizimi i mëtejshëm ka nevojë për kapital të huaj. Parashikimet e FMN-së flasin për një rritje negative në vitin 2009 (-0.4%). Kjo e dhënë (vetëm dyshime) logjikisht nuk e nxit qeverinë të rrisë investimet publike që të mbështesë tregun e punës.
Ndonëse Sali Berisha u rikthye në pushtet “për të rivendosur shtetin ligjor dhe luftuar korrupsionin, i cili është një plagë për shoqërinë shqiptare, - tragjedia e Gërdecit dhe përfshirja e rrethit të kryeministrit në pazarin e dyshimtë të trafikut të armëve na kujtojnë se “nuk ka ndryshuar asgjë”.
Gjithashtu, edhe një gjë tjetër duhet të përmendet gjatë drejtimit të qeverisë “Berisha”, e cila ka të bëjë me sulmet në mënyrë të përsëritur ndaj mediave dhe institucioneve të pavarura.
Në vitin 2008, një raport i Bankës Botërore zhvendosi disa shkallë më poshtë në renditjen botërore të vendeve, krahasuar me vitin 2007, përsa u përket lehtësirave për investime. Duke nxjerrë në pah burokracitë e rënda dhe taksat, raporti kritikon në mënyrë të ashpër Shqipërinë për ecjen e ngadalshme në drejtim të reformave të domosdoshme.
Përfundimisht, ajo çfarë ne shikojmë është më pak sesa një vlerësim i vakët për Sali Berishën, sepse, nëse Banka Botërore raporton se 10 000 veta dolën nga varfëria gjatë këtyre viteve të fundit, rreth 12.4 për qind e popullsisë akoma jeton me më pak sesa 2 dollarë në ditë.
Ndërsa për Edi Ramën e PS-së, që shmangu dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë qëkur nisi garën elektorale, ai pretendon të flasë për ndryshim dhe programi i tij shtrihet mbi arritjet, të cilat kanë transformuar qytetin e Tiranës. Koalicioni i tij “Bashkimi për ndryshim” vjen bashkërisht me Partinë Socialdemokrate, Partinë Demokracia Sociale dhe grupimin “G99”. Gjatë lançimit të fushatës elektorale, udhëheqësi socialist tha në një takim me të rinjtë të Universitetit të Tiranës, përpara turmës së mbështetësve: “Unë ju kërkoj që të votoni, të merrni pjesë në ndryshimin për vendin tonë, ndryshim i cili do të shkojë përtej një vote, përtej një partie të djathtë apo të majtë. Unë ju kërkoj të votoni për politikën e re, për shkolla më të mira, për më tepër punë, më tepër infrastrukturë dhe për cilësi jete më të mirë për të gjithë, duke ndryshuar faqen e historisë tonë”. Disa prej objektivave janë të ngjashëm me ato të PD-së, duke kërkuar investime gjigante, të cilat, ashtu siç e thamë, duken shumë të vështira për t’u besuar me këtë situatë ekonomike në Shqipëri.
Gjatë gjithë fushatës, dy partitë kryesore (PD dhe PS) fshikullojnë njëra-tjetrën. Ato parashtrojnë reforma dhe ndryshime, të cilat të japin një pamje utopike krahasuar me situatën e tanishme financiare dhe kapacitetet financiare që ekzistojnë në vend. Ashtu si edhe partitë e vogla, ato vazhdojnë t’i kushtojnë vëmendje elektoratit dhe të përqendrohen në nevojat dhe shpresat e tyre.
Ndonëse Sali Berisha nuk është kursyer nga akuzat për korrupsionin e familjes së tij, as Edi Rama nuk mbetet jashtë akuzave. Debati rreth lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga kryebashkiaku i Tiranës, synojnë të nxijnë në mënyrë të fuqishme PS-në. Ne, gjithashtu, do të përmendim “keqkuptimin” e ngritur nga “vendimi irracional i njeriut të fortë të PS-së që nuk kryeson listën e partisë së tij, ndërsa ai përpiqet që të fitojë postin e kryeministrit”.
Përveç këtyre dy koalicioneve të mëdha, ne përmendim gjithashtu Aleancën Socialiste për Integrim, që përbëhet nga LSI-ja e ish-kryeministrit Ilir Meta gjatë periudhës 1999-2002, bashkë me PSV ‘91 të Petro Koçit, Partinë e Gjelbër, Lëvizjen për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Partia për të Drejtat e Emigrantëve dhe Partia Toleranca e Re, që përfaqëson minoritetin rom dhe me ngjyrë.
Poli i Lirisë kryesohet nga ish-kryeministri Aleksandër Meksi dhe nga kryetari i PDK-së, bashkë me Partinë Konservatore dhe LZHK-në, Partia për Bashkim Demokratik, “Rrugën e lirisë” dhe Partinë për Reforma Demokratike.
Reforma e Kodit Zgjedhor, bipolarizimi dhe ndikimet e tij në votim
Që prej rënies së regjimit komunist në vitin 1992, zgjedhjet në Shqipëri gjithmonë janë shoqëruar me parregullsi, korrupsion dhe manipulime. Në mënyrë të dukshme kjo përbën një nga pengesat kryesore të integrimit të vendit në BE. Që prej vitit 1997 Brukseli i ka ndihmuar në vazhdimësi autoritetet për kapërcimin e problemeve dhe duke i mbajtur në kontroll shumë të rreptë, duke siguruar rindërtimin e shtetit shqiptar. Në vitin 2006 Shqipëria dhe BE-ja firmosën MSA-në, e cila hyri në fuqi më 1 prill të këtij viti, që shënon edhe fazën e parë në procesin që po realizohet nga autoritetet e Tiranës.
Përtej aspekteve ekonomike, marrëveshja angazhon BE-më që të ndihmojë Shqipërinë në përforcimin e demokracisë së saj dhe ecjen e saj drejt stabilitetit politik, ekonomik dhe institucional.
Në të njëjtën kohë, që të ndreqë imazhin shkatërrues të korrupsionit, është dhënë së fundi një fond special prej 500 mijë eurosh (65 milionë lekë) tek të gjitha partitë politike, të përfaqësuara në Kuvend bashkë me dy partitë kryesore (PS dhe PD), që janë përfituesit kryesorë.
Megjithëse, ashtu siç theksuam, reforma e Kodit Elektoral është pjesërisht rezultat i presionit të OSBE/ODIHR-it për të shmangur trafikimin e votave dhe dëmtimin e përfaqësimit në Kuvend, mbetet i vërtetë fakti se ai tani do të asgjësojë, sidomos, të gjitha partitë e tjera, me përjashtim të LSI-së dhe ndoshta LZHK-së, që po mbijeton. Kjo kupton që bipolariteti do të fillojë të shtrihet te formacionet e partive të vogla, të cilat në fund nuk janë të favorizuara në debatin demokratik dhe është e vështirë të kenë përfaqësim elektorati.
Reforma e Kodit Zgjedhor dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë sjellë mungesë të theksuar të partive të vogla në lidhje me administrimin e procesit zgjedhor. Shumë prej tyre mendojnë se do të ketë parregullsi në ditën e zgjedhjeve, veçanërisht në lidhje me numërimin e votave dhe heqjen e të drejtës së votimit të njerëzve si rezultat i dështimit të qeverisë në pajisjen e shtetasve me karta identiteti.
Publikimi i listës së votuesve ka ngjallur shumë interes, qoftë nga opinioni publik, qoftë në radhët e vëzhguesve politikë. Në fakt, PD-ja dhe PS-ja vendosën të adoptojnë të njëjtën strategji edhe në drejtim të përgatitjes së listave të kandidatëve. Për këtë, PD-ja zgjodhi të paraqesë një numër të madh intelektualësh dhe “harroi” një numër të konsiderueshëm politikanësh të mirënjohur. Edhe PS-ja ndoqi të njëjtën logjikë: një shkrim i Institutit Ndërkombëtar “Ifimes” thotë: “Partia Socialiste është duke u përpjekur që t’i mbushë mendjen publikut në linjën e saj të mbështetjes së vazhdueshme të intelektualizmit, por në të vërtetë, ajo e ka ndër mend që të promovojë persona që kanë lidhje me biznesin dhe një të kaluar të dyshimtë; të gjitha këto nënvizojnë manipulimin në përbërjen e listave të kandidatëve”.
Mjafton të theksohet heqja e personaliteteve të tilla si udhëheqësi historik i së majtës, zoti Fatos Nano dhe zoti Besnik Mustafaj (ish-ministër i Jashtëm) Preç Zogaj, Karapici dhe Biberaj; që të gjithë anëtarë me peshë në PD.
Roli i medias gjatë fushatës elektorale
Shqipëria ka një treg shumë të madh të mediave. Përveç RTSH-së, KKRRT-ja ka dhënë tri licenca për televizione komerciale, të cilat gëzojnë të drejtat e transmetimeve në të gjithë vendin. Gjithashtu, Shqipëria ka rreth 70 televizione lokale dhe 50 rrjete kabllore.
Megjithëse shumica e mediave janë vlerësuar si të “moderuara”, ato nuk janë të pavarura. Në fakt, ashtu siç e tregon edhe raporti më i fundit i OSBE-së, “pjesa më e madhe e mediave televizive dhe të shkruara janë konsideruar përgjithësisht si të rreshtuara me njërën ose me tjetrën prej dy partive kryesore politike: përgjithësisht, media konsiderohet të jetë pluraliste, por jo e pavarur nga ndikimi politik”.
Gjatë fushatës, media të caktuara përpiqen të shesin idenë sipas të cilës, sistemi politik tani është bërë tërësisht bipolar, duke këmbëngulur për PD-në dhe PS-në në kurriz të “partive të vogla”, - por kjo është një taktikë, e cila duket se ka dështuar. Në fakt, suksesi i programeve satirike politike, - duke ndjekur shembullin e Francës, - të tillë si ‘Portokallia’ (në rrjetin Top Channel) gëzon sukses real në Shqipëri, duke promovuar “hendekun mes maturisë së popullit dhe klasës politike, e cila jeton në një enë të mbyllur”, ashtu siç vëzhgues të mirinformuar të politikës shqiptare na shpjegojnë ne.
Gjithashtu, raporti i OSBE-së thekson se RTSH-ja, reforma e së cilës nuk është përfunduar, - ka një mbulim tërësor të territorit dhe mbetet e varur financiarisht nga shteti: “RTSH-ja është perceptuar nga shumë bashkëbisedues si një shërbëtor i qeverisë dhe partisë në pushtet. Ky qëndrim është konfirmuar edhe nga një burim i yni kur ai na thotë se Televizioni Kombëtar e ndryshon orientimin politik sa herë ndryshojnë qeveritë”.
Në vend të mbylljes
Ka shenja akoma se sa pasiguri vërtiten rreth natyrës demokratike të zgjedhjeve të ardhshme që janë ndeshur edhe tek shumë ambasadorë europianë dhe ambasadori amerikan në lidhje me dy njerëzit më të fuqishëm të Tiranës, Sali Berisha dhe Edi Rama, duke ndarë me ta shqetësimin e tyre rreth transparencës së votimit. E njëjta gjë edhe për OSBE-në, e cila do të vëzhgojë ngushtësisht zgjedhjet me 439 vëzhguesit e saj. Përfaqësuesi i saj në Tiranë, ambasadori Robert Bosh thotë se “klasa politike, ashtu si edhe e tërë administrata shqiptare, do të punojnë që të garantojnë që këto zgjedhjet parlamentare të jenë më demokratiket të organizuara në vend dhe që të shënojnë vërtet një hap të madh përpara”.
Megjithëse dy partitë kryesore favorizohen nga mënyra e zgjedhjeve, duke lexuar sondazhet e fundit duket se PD-ja nuk do të jetë në gjendje që të krijojë një koalicion qeverisës me Polin e Lirisë. Në fakt, ajo nuk mund të mbledhë votat e mjaftueshme. Skenari që PS-ja dhe PD-ja mund të vendosin të ecin drejt pushtetit së bashku është i pashpresë përderisa ka një kundërshtim të fuqishëm mes dy palëve gjatë gjithë fushatës së zgjedhjeve.
Tani alternativa mund të dalë nga një koalicion i përbërë nga PS-ja e Edi Ramës dhe LSI-ja e ish-kryeministrit Meta. Nëse do të ndodhë kjo, ka gjasa që kjo të sjellë edhe fundin e periudhës “Berisha”, dhe ironikisht të sjellë ndryshimin për Shqipërinë. Nuk ka rëndësi se cili nga këto skenarë do të zbatohet pas zgjedhjeve, por një gjë duket se sigurt; LSI-ja pritet të ketë një rol kyç tek ai që krijon qeverinë e re.
*Autori është president i organizatës “ESISC” (European Strategic Intelligence & Security Center)
24 Qershor 2009