E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tribune Magazine: “LSI-ja dhe Meta, çelësi i qeverisjes së ardhshme”



Gazeta prestigjioze britanike “Tribune Magazine”, në një artikull të shkruar për Shqipërinë ka analizuar procesin zgjedhor dhe ka bërë një përmbledhje të shkurtër të fushatës elektorale të zhvilluar deri tani. Në këtë artikull, “Tribune Magazine” ka theksuar se LSI-ja dhe lideri i saj Ilir Meta do të luajnë një rol kyç në formimin e qeverisjes së ardhshme. “Fushata e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri ka filluar zyrtarisht në fund të majit. Megjithatë, kandidatët kanë qenë pjesë e një lufte të madhe fjalësh prej shumë muajsh. Ilir Meta, ish-kryeministër, i cili krijoi Partinë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), është i njohur kudo si “kingmaker”, pra si njeriu kyç i formimit të qeverisë së re. Megjithëse sondazhet e paraqesin atë me vetëm 6% të votave, nëse asnjëra nga partitë e mëdha nuk fiton në maxhorancë, mbështetja e LSI-së do të luajë një rol kryesor në formimin e qeverisë”, - thuhet në artikullin e gazetës prestigjioze britanike.

Milo: “Do ta nxjerrim bujqësinë nga kriza”

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, gjatë turit të tij elektoral, zhvilloi takime me anëtarë dhe simpatizantë të Demokracisë Sociale në Bulgarec të Korçës.
Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Milo ftoi banorët që të votojnë për PDS-në, pasi sipas tij, PDS-ja do të angazhohet që me politikat e saj të nxjerrë bujqësinë nga kriza. “Ne jemi këtu që jo vetëm t’ju premtojmë, por ne jemi këtu që t’ju japim mesazhe të qarta shpresëdhënëse, reale që nesër do të jetë ndryshe dhe që të bëhet ndryshe dhe në interesin tuaj është e domosdoshme që në 28 qershor, të votoni Demokracinë Sociale, ta votoni fortë, ta votoni në shumicë sepse Demokracia Sociale do t’jua shpërblejë nesër me politika reformatore, me politika konkrete në favorin tuaj dhe të së ardhmes të fëmijëve tuaj. Fermerët e Bulgarecit dhe të të gjithë Korçës, ashtu sikurse dhe të gjithë Shqipërisë, do të gjejnë te PDS-ja një forcë politike që mendon seriozisht që t’ju vijë në ndihmë dhe në mbështetje nesër me politikat agrare që ne do të zbatojmë”, - tha Milo.

Veliaj: “Më 29 qershor ëndrrat e të rinjve bëhen realitet”

Erion Veliaj zhvilloi një tur takimesh në qytetin e Vlorës, bashkë me kandidatin e G99-s në këtë qark, Genc Kojdheli. Gjatë takimit të zhvilluar në Pallatin e Kulturës, Veliaj tha: “Unë kam një ëndërr, ëndrra ime është që pas 28 qershorit të mund të kemi një parlament të ri dhe një qeveri të re, që të punojë për mbi 3 milionë shqiptarë. Lajmi i mirë është se kjo nuk do të mbetet thjesht një ëndërr, por do të jetë realiteti ynë i përbashkët më 29 qershor”. Kandidati për deputet në qarkun e Vlorës, Genc Kojdheli, shprehu besimin se të rinjtë, si ata të G99-ës, të cilët treguan se mund të organizohen edhe pse skeptikët e cinikët nuk e besonin këtë gjë, do të jenë fitimtarë në këto zgjedhje dhe se për herë të parë ata do të mund të marrin në duar fatet e
tyre. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe tre personazhe të “Big Brother”, Adi, Bjordi dhe Adelajda, tre aktivistë të G99-ës, të cilët i ftuan qytetarët e Vlorës që të votojnë për këtë forcë politike.

24 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›