FDE i propozon presidentit Topi firmosjen e Akt-Mirëbesimit
FDE, ndërmerr një nisme të re, nëpërmjet propozimit që i bën Presidentit të Republikës dhe kryetarëve të partive politike që konkurrojnë në këto zgjedhje, për firmosjen e një Akt-Mirëbesimi. Duke qenë se plotësimi i standardeve për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme është bërë tashmë kushti themelor për vazhdimësinë e procesit të Integrimit të Shqipërisë në BE, dhe liberalizimin e vizave, por gjithashtu duke qenë se në të gjitha Raportet Ndërkombëtare për Shqipërinë, përmendet mungesa e besimit si një nga faktorët kryesorë që cenojnë rëndë vazhdimësinë e reformave, FDE propozon që Presidenti i Republikës dhe kryetarët e partive politike konkurruese në këto zgjedhje të ndërmarrin nismën për firmosjen e një Akti-Mirëbesimi.
Pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, lajmi mi i mirë që kemi marrë në këta 18 vjet tranzicion, nevoja e lyp që realizojmë zgjedhje të lira, të qeta dhe të pranueshme nga të gjitha palët. Ky është edhe kushti i BE-së, familjes së madhe ku vendi ynë dëshiron dhe aspiron të përfshihet. E ardhmja e vendit tonë në Bashkimin Evropian nuk është e kushtëzuar nga fakti se kush fiton zgjedhjet parlamentare në BE. E ardhmja e vendit tonë në Bashkimin Evropian nuk kushtëzohet nga fakti që në vendet e tij qeverisin në shumicë të djathtët apo të majtët. E ardhmja e vendit tonë në Bashkimin Evropian nuk është e kushtëzuar nga fakti se cila forcë politike e qeveris Shqipërinë, por kushtëzohet nga standardet e demokracisë. Integrimi evropian i Shqipërisë do të përshpejtohet vetëm nëse zgjedhjet e qershorit do të respektojnë standardet e një demokracie evropiane funksionale, thuhet ndër të tjera në deklaratën e FDE, duke vlerësuar si test pikërisht këto zgjedhje. Sipas FDE nëse nuk do ketë edhe këtë herë zgjedhje brenda standardeve, atëherë kjo do të kishte një ndikim të thellë në stabilitetin politik të vendit, do të sprapste arritjet politike dhe ekonomike të deritanishme, do të pakësonte mbështetjen për Shqipërinë, por edhe për shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni dhe do të shtynte pafundësisht anëtarësimin në BE të Shqipërisë. Nisur nga ky këndvështrim, FDE i propozon që Presidenti i Republikës dhe kryetarëve të partive politike konkurruese në këto zgjedhje të ndërmarrin nismën për firmosjen e këtij Akti-Mirëbesimi.