Ndoka: Topalli dhe Policia e Shtetit vranë Aleks Kekën
Kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka ka pritur në një takim Sekretarin e UCD, Italiane Luixhi Barufi, ku arsyet e këtij takimi kanë qenë ajo e vrasjes së ndodhur pak ditë më parë të kreut të PDK, për Malësinë e madhe Aleksandër Keka, si dhe zhvillimet dramatike që po ndodhin gjatë kësaj fushate elektorale. Kreu i PDK, Ndoka ka theksuar se vrasja e Aleksandër Kekës është bërë vetëm për motive politike, dhe se nuk ka patur asnjë shkak tjetër që ai të vritej. Ai i deklaroi sekretarit të UDC, Italiane se PDK ka përgatitur një kallëzim penal për kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe për Policinë e Shtetit.
Sipas Ndokës akuzat ndaj kryetares së kuvendit Topalli janë bërë me faktin se ajo në një mënyrë të papërgjegjshme politike ka denigruar dhe ka nxitur një klimë kërcënuese ndaj demokristianëve me deklaratat e saj. "Politikanët duhet të mbajnë përgjegjësi për ato që thonë, aq më shumë kur bëhet fjalë për deklarata që nxisin klimën e urrejtjes ndaj subjekteve të tjera politike apo grupeve shoqërore.Topalli do të përgjigjet deri në fund para drejtësisë për akuzat e saj të shëmtuara në adresë të PDK", theksoi Ndoka. Ndërsa lidhur me padinë që PDK ka ngritur kundër policisë së shtetit, Ndoka u shpreh se ky institucion ka dezinformuar publikun, lidhur me akuzat e bëra në drejtim të figurës së të ndjerit Aleksandër Keka, ku ka shpifur në mënyrë të shëmtuar se ai është trafikant dhe eksponent i krimit. Sipas tij Policia e Shtetit ka shpifur në mënyrë të hapur për interesa të ndonjë partie politike. Policia e shtetit është e qytetarëve dhe jo e pushtetarëve, nënvizoi Ndoka. Ai tha se me deklaratë e bërë policia e shtetit Shqiptar tregoi se është një instrument politik në duart e pushtetarëve, dhe se deklarata e bërë prej tyre është jo profesionale, dashakeqe dhe antiligjore. Deklarata e policisë së shtetit synon të fshehë se krimin dhe në rastin më të keq ajo synon se kush është autori që vrau Kekën. Kjo është ta vrasësh për herë të dytë të ndjerin Keka, theksoi Ndoka. Ndërsa deklaroi se PDK nuk do të reshtë kurrë dhe në asnjë moment së kërkuari zbardhjen e vrasjes së Aleksandër Kekës, të cilin e konsideroi edhe një herë se është një ngjarje që duket qartë që është bërë për motive politike, dhe jo për ato motive të shëmtuara në të cilat aludon policia e shtetit. Ndërsa sekretari i UCD-së italiane Luigji Barufi është shprehur se zhvillimet të tilla nuk ndihmojnë afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Sipas tij, organet e drejtësisë duhet të gjejnë sa më shpejt jo vetëm autorin e vrasjes së Aleks Kekes, por edhe frymëzuesit e këtij akti të shëmtuar.