LSI dhe PSD: Ligji për dosjet dëmton Drejtësinë dhe zgjedhjet
Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Socialdemokrate kontestojnë sërish ligjin e dosjeve, të miratuar në mënyrë të njëanshme nga maxhoranca, duke paralajmëruar pasoja për dy fusha tejet të rëndësishme si Drejtësia dhe procesi zgjedhor. Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Edmond Haxhinasto, deklaroi dje në një konferencë për shtyp se ligji për lustracionin është bërë për interesat e mbrapshta të goditjes së Drejtësisë. “Ky ligj është bërë vetëm për t’u përdorur në mënyrë selektive nga mazhoranca e sotme si një mjet presioni për të frikësuar e intimiduar prokurorë e gjykatës, të cilët po hetojnë aferat korruptive të kësaj qeverie. Ligji ka komprometuar qëllimin e tij kryesor, qëllim që LSI-ja e ka mbështetur, që konsiston në masat për të çinstaluar trashëgiminë e sistemit të mëparshëm totalitar”, - tha Haxhinasto. Ai theksoi se ligji për dosjet është vetëm një ligj elektoral, i përdorur nga Berisha për të mashtruar shqiptarët në zgjedhjet e këtij viti. “Ky ligj nuk është gjë tjetër veçse pjesë e arsenalit elektoral të Berishës, i cili shpreson se nëpërmjet këtij ligji, nëpërmjet procesit të lëshimit të kartave të identifikimit, problematik që në fillimin e tij, si dhe nëpërmjet borxheve të mëdha që po merr për asfaltet elektorale, do të mashtrojë përsëri shqiptarët për një mandat të ri në vitin 2009”, - vijoi ai. Reagim kontestues ndaj ligjit të dosjeve ka patur edhe Partia Socialdemokrate. Nënkryetari i saj, Engjëll Bejtaj, tha se ligji në fjalë dëmton edhe procesin e ardhshëm zgjedhor, duke rrezikuar një prej kushteve më të rëndësishme për integrimin e Shqipërisë në BE. “Kjo vërteton edhe një herë që deklaratat e Berishës për zgjedhje të lira dhe demokratike, sipas standardeve europiane, janë vetëm demagogji.
Ligji i dosjeve që me hyrjen e tij në fuqi ka cenuar rëndë standardin e zgjedhjeve të ardhshme, ende pa u zhvilluar ato. Kjo përbën edhe një nga kundërshtitë themelore të deklaratës së KE-së, ku thuhet se lustracioni nuk duhet të aplikohet mbi kandidatët në zgjedhje”, - tha Bejtaj.
19 Janar 2009