Braçe: “Berisha, i përfshirë në korrupsionin me pronat”
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka akuzuar kryeministrin Berisha se është i përfshirë në fenomenin e korrupsionit me pronat. Sipas Braçes, nga ky fenomen kanë përfituar shumë pushtetarë dhe një gjë e tillë është bërë nën udhëheqjen e kryeministrit Sali Berisha. “Pronat janë përdorur për korrupsion dhe korrupsioni me pronat, tokat, më së shumti është dominant, duke punësuar pushtetarë të çdo lloji, qendrorë apo lokalë, ata që merren me bujqësinë, po ashtu ata që merren me ndërtimet në fushë apo në mal, në bregdet apo në pyll, tokë shtetërore, publike e ndërmarrje publike, reparteve ushtarake, e pandarë apo me pronarë të certifikuar qysh herët. E gjitha ka ndodhur apo ndodh me dijeni të plotë dhe nën udhëheqjen e Sali Berishës, njeriut që ka përqendruar në dorën e tij edhe administrimin e tokës apo të gjithë procesin dhe kompensimin e kthimin fizik të pronës. Synimi i tij është të punësojë njerëzit e tij. Kjo ka sjellë që të pasurohen, të kthehen në latifondistë, sa hap e mbyll sytë, pushtetarë, familjarë, klientë të tyre, në një proces korruptiv që nuk po ndalet”, - tha Braçe. Ai akuzoi pushtetarët e Partisë Demokratike në Vlorë, Elbasan e Lushnje se po shpërndajnë masivisht toka publike, duke ua dhënë familjarëve të tyre, përfaqësuesve politikë si dhe klientëve të tyre.
19 Janar 2009