E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani përgënjeshtron Braçen: “Pushtetarët e PS-së kanë vjedhur pronat”



Zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, ka përgënjeshtruar dje kryetarin e Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe, duke bërë të ditur se pushtetarët vendorë të PS-së janë ata që kanë vjedhur pronat në rrethe. “Edi Rama, nëpërmjet yllit të shndritshëm të politikës së re, Erion Braçe, nxorri në treg shpifjen dhe trillimin e ditës për grabitje tokash në rrethe të ndryshme të vendit. Pa përmendur autorë, pa përmendur emra, por vetëm pushtetarë të PD-së, paçka se në këto qytete në pushtet është Partia Socialiste. Këto shpifje dhe trillime nuk janë të rastësishme, por janë të mirëkalkuluara, sepse verifikimi i titujve të pronësisë do të nxjerrë në pah abuzimet e mëdha të qeveritarëve dhe pushtetarëve me tokat dhe pronat e qytetarëve”, - është shprehur Bogdani.

Dosjet e pronave i kalojnë Prokurorisë së Përgjithshme

Prokuroria e Përgjithshme ka marrë në dorëzim disa dosje të hetuara nga Prokuroria e Tiranës ndër të cilat më e rëndësishmja rezulton dosja e “Gjirit të gjeneralit”, ecurinë e së cilës gazeta “Albania” e ka ndjekur prej disa javësh nisur për nga rëndësia që i ka kushtuar organi i akuzës. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme kanë konfirmuar se kalimi në këtë institucion i dosjes së pronave është stadi i fundit i filtrimit të tyre dhe i fazës hetimore, ndërsa hetimi po asistohet edhe nga dy prokurorë amerikanë që prej kohësh janë të atashuar pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Abuzimet (në përmasa të frikshme) me pronat e ka “mbytur” prokurorinë këtë vit, pasi denoncimet dhe rastet e hetuara janë shtuar në mënyrë të habitshme. Dosja më e nxehtë aktualisht është dosja “Gjiri i gjeneralit” ku bëhet fjalë për më shumë se 450 hektarë tokë shtetërore (ish-bazë ushtarake), që, nëpërmjet një procesi të dyshuar si i falsifikuar, i ka kaluar një familjeje të vetme, duke ia “kthyer” këtë pronë nëpërmjet një trashëgimie të pretenduar me dokumente false. Hetimi i prokurorit të çështjes është ezauruar, ndërsa dosja është tashmë në tryezën e prokurorit të Përgjithshëm dhe grupit të prokurorëve që do t’i japin “dorën e fundit” hetimit të saj. Kjo dosje implikon zyrtarë shumë të lartë të AKKP-së si dhe disa biznesmenë dhe juristë. Që prej fillimit të hetimeve, burime nga Prokuroria e Tiranës konfirmuan se për nga mënyra si ishin kryer abuzimet dhe aktet ligjore kuptohej qartë se të interesuar mund të kenë qenë zyrtarë, të cilët kanë patur mundësi për të influencuar mbi organet vendimmarrëse për pronat.

19 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›