FDE, propozime për daljen nga kriza e Kodit Zgjedhor
Forumi për Demokraci dhe Etikë ka reaguar dje duke dhënë edhe disa propozime për të kaluar krizën e Kodit Zgjedhor. Sipas këtij forumi, acarimi i situatës politike brenda vendit po krijon një shqetësim për çështjen e Kosovës. FDE-ja ka kërkuar rinisjen e bisedimeve nëpërmjet një tryeze të rrumbullakët nga kreu i shtetit. Ky forum ka dhënë edhe propozime konkrete për çështjet delikate të Kodit Zgjedhor. Sipas këtyre propozimeve, të gjitha partitë politike dhe koalicionet që kanë arritur të marrin mbi 3% në zgjedhjet e fundit parlamentare, të kenë anëtarë në grupet e numërimit. Pranë gjykatave të rretheve apo qarqeve të instalohet infrastruktura kompjuterike me anë të së cilës realizohet shorti i përzgjedhjes së anëtarëve të KZZ-ve dhe KQV-ve dhe grupeve të numërimit. Anëtaret e KZZ-ve dhe KQV-ve dhe grupeve të numërimit, të përzgjedhur nga ky short i rastësishëm i realizuar në ambientet e gjykatave, të bëhen automatikisht pjesë e shërbimit zgjedhor shqiptar, dhe si rrjedhim, marrin një status të posaçëm të depolitizuar në kryerjen e kësaj detyre. Njëkohësisht, është kërkuar edhe rritje e sanksioneve ndaj komisionarëve që cenojnë procesin zgjedhor.