PDK-ja paralajmëron grevë të 900 anëtarëve
Partia Demokristiane ka paralajmëruar një grevë masive të anëtarëve të saj në rast se Kuvendi miraton Kodin e ri Zgjedhor. Sekretari politik i kësaj partie, Lazër Stani, tha dje për mediat se ky veprim do të ndërmerret në rast se Kuvendi injoron deputetët grevistë. Sipas tij, kryesia e PDK-së, në mungesë së kryetarit Nard Ndoka, ka vendosur që të gjithë anëtarët e kryesive të degëve të partisë në rrethe do të hidhen në grevë në rast se Kodi zyrtarizohet. Stani bëri me dije se numri i këtyre anëtarëve arrin në 900 vetë, të cilët janë të gatshëm të nisin grevën e urisë. Ditën e djeshme ky vendim u shty për shkak të shtyrjes së seancës plenare ku pritet të diskutohej Kodi i ri Zgjedhor. Gjithsesi, vendimi i kryesisë së PDK-së ka mbetur në fuqi, sipas të cilit, anëtarët e PDK-së do të hyjnë në grevë në rast se Kuvendi kalon Kodin e ri Zgjedhor.