FED dhe Departamenti i Thesarit gënjyen kur shpëtuan 9 banka me miliarda dollarë
Departamenti i Thesarit dhe Rezerva Federale e kanë gënjyer publikun amerikan vjeshtën që shkoi kur deklaruan publikisht se 9 bankat e para që do të përfitonin nga fondet e paketës së shpëtimit "ishin të shëndetshme". Ky përfundim është nxjerrë pas një kërkimi të posaçëm të bërë nga qeveria amerikane. Inspektori special i programit të shpëtimit të aseteve problematike ka bërë të ditur dje, se pavarësisht deklaratave të shumta të bëra më 14 tetor të vitit të kaluar në lidhje me situatën pozitive të 9 bankave të para që do të përfitonin nga paketa stimuluese dhe me faktin se ky ishte një hap në të mirë të ekonomisë së vendit, zyrtarët e lartë që i bënë këto deklarata e dinin që situata nuk ishte aspak rozë. Tetorin e kaluar qeveria amerikane ishte në mesin e përballimit të krisës më të rëndë financiare dhe ekonomike që prej dhjetëvjeçarësh. Më 7 shtator të vitit të kaluar, gjiganti i kredidhënieve "Fannie Mae" dhe "Freddie Mac" deklaruan problemet e tyre shumë të mëdha. Më 15 shtator banka e madhe e investimeve "Lehman Brothers" nënshkroi për falimentim. Të nesërmen gjiganti i madh i sigurimeve AIG kishte një nevojë urgjente për 85 miliardë dollarë kredi qeveritare për të shmangur kolapsin. Më 13 tetor, pasi Kongresi miratoi ligjin e paketës së parë stimuluese prej 700 miliardë dollarëshe në fillim të muajit, Departamenti i Thesarit siguroi injektime kapitali për 9 institucione që së bashku kishin asete me vlerë 11 trilionë dollarë, ose sipas shifrave të korrikut 2008 këto banka kishin 75% të aseteve të bankave amerikane. Kur deklaroi dhënien e transhit të parë të ndihmës ndaj këtyre 9 bankave, me një vlerë prej 125 miliardë dollarësh, ish-sekretari i Thesarit, Hank Paulson, deklaroi më 14 tetor se institucionet e sipërpërmendura ishin "të shëndetshme" dhe se paratë për nxjerrjen e tyre nga situata do të jepeshin në të mirë të ekonomisë amerikane. Po atë ditë, edhe disa institucione të tjera të rëndësishme financiare, mes të cilave edhe banka qendrore amerikane, FED, deklaruan njëzëri në një deklaratë të përbashkët se "institucionet janë të shëndetshme dhe se dhënia e kësaj sasie të madhe parash bëhet për forcimin e mëtejshëm të pozicioneve të tyre, si dhe forcimin e ekonomisë". Por sipas kërkimit të fundit të inspektorit të mësipërm, del se të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të larta të shtetit që bënë këtë deklaratë qetësuese e dinin fort mirë se realiteti ishte shumë ndryshe. Miratimi i paketës së injektimit të bankave të mëdha me paratë e taksapaguesve, sipas atyre që e ideuan këtë metodë, i ka shërbyer ekonomisë së vendit dhe daljes nga kriza, ndërsa sipas kritikëve këto para shkuan vetëm në favor të bankierëve të "Wall Street" dhe jo të ekonomisë në përgjithësi, sepse pavarësisht parave që morën bankat nuk e kanë filluar ende procesin e kredidhënies dhe falimentimet e papunësia janë në rritje.