FER: Të ndryshohet klasa politike
Udhëheqës të Partisë Fryma e Re (FER) dhe kandidatë të saj për deputetë, takuan qytetarë të Ferizajt, pronarë dyqanesh, taksistë e kalimtarë, për të krijuar lidhje afërsie me zgjedhësit e mundshëm. Bashkëthemeluesi i FER-it, Shpend Ahmeti, vuri në dukje se ferizajasit i kanë pasur nëntë deputetë në mandatin e kaluar të Kuvendit të Kosovës, por kanë mundur t’i shohin e t’i njohin vetëm këto ditë, kur ata sërish po e kërkojnë votën. “Ata asnjëherë në Kuvend nuk e kanë përmendur komunën tuaj. Ata kanë shkuar në Kuvend vetëm si numra dhe për paga të majme”, tha Ahmeti. Më tej Shpend Ahmeti u tha ferizajasve se komuna e tyre i jep shumë më tepër buxhetit të Kosovës, sesa merr prej tij; se rreth pesë mijë ferizajas aktualisht punojnë në Irak e Afganistan, pasi qeverisjet e deritashme nuk u kanë krijuar mundësi punësimi në vend. Ahmeti kritikoi kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, se po shpërndan universitete publike anekënd Kosovës, në përpjekje për të prolonguar shpërthimin e pakënaqësisë për shkak të papunësisë së lartë. “Të riut kosovar sot i ofrohen dy zgjidhje: të jetë student, ose i papunë”, tha Ahmeti.