E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurti: Kemi të drejtë të bashkohemi me Shqipërinë

Lideri i “Vetëvendosjes”

Shfaqja e Albin Kurtit të hënën mbrëma në tubimin qendror të “Vetëvendosjes” në Pejë, “ndezi” të rinjtë pejanë që kanë dominuar në mesin e rreth tre mijë pjesëmarrësve në sallën e mbushur përplot. Kurti në fjalimin e tij sërish ka përsëritur akuzat ndaj pushtetarëve në shkarkim, të cilët siç tha Kurti kanë përdorur postin publik për interes privat, duke krijuar liri për uzurpimin e shtetit, por jo liri për qytetarët e Kosovës.

“Qytetarët e Kosovës kanë liri për tregti dhe lëvizje, sepse kanë liri për konsum e jo liri për prodhim. Nuk kanë çfarë ende të drejta, ngaqë brenda Kosovës kanë  liri të rrudhur”, ka thënë Kurti, i cili pas çdo fjalie ndërpritej nga brohoritjet e zhurmshme të publikut. Duke kërkuar votën e tyre, Kurti u ka premtuar pejanëve se me pushtetin e “Vetëvendosjes”, pasuria e paligjshme e pushtetarëve do të bëhet pasuri e qytetarëve, kurse Kosovën do ta bëjnë sovrane, me ushtri moderne dhe institucione të fuqishme dhe të pavarura politike edhe në të mirë të kombit.

“Ne do ta bëjmë Kosovën sovrane, sepse hajnat duhet të dorëzohen para shtetit të fuqishëm e jo shteti i dobët para hajnave. Ne do ta bëjmë Kosovën sovrane, sepse Kosova duhet ta ketë të drejtën të bashkohet me Shqipërinë. Në duam një shtet tjetër ku sundon vullneti i popullit e jo dëshirat e politikanëve”, ka thënë Kurti, duke premtuar edhe heqjen e doganave mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe rivendosjen e doganave në kufirin me Serbinë, si dhe kyçjen e hidrocentraleve të Shqipërisë me termocentralet e Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›