FESTIMET ZYRTARE - “Duam gjak shqiptar”në paradën e Athinës
Aristir Lumezi
Festa e kombëtare greke u kthye në thirrje raciste dhe urrejtje ndaj shqiptarëve dhe fqinjëve. Forcat Speciale të ushtrisë greke fyejnë rëndë shqiptarët, duke kërcënuar madje me pirje gjaku. Ngjarja me thirrje dhe përmasa raciste ka ndodhur dy ditë më parë gjatë paradës për festën Kombëtare të Greqisë para Presidencës. “Grek lind, nuk bëhesh kurrë, gjakun tënd do të derdhim, mor derr shqiptar”, ishte një nga thirrjet e thëna në kor. Lajmi u bë publik nga gazeta e madhe greke “Elefterotipia”, sipas së cilës thirrjet skandaloze erdhën dje në qendër të Athinës, jo nga anëtarët e demonstruesve “Hrisi Avgji”, të cilët njihen si ekstremistë të djathtë, por nga Forcat Speciale zhytëse në rrugën “Universiteti” dhe “Shën Konstandini” në paradën zyrtare ushtarake në kujtim të 25 marsit. Në mes të Athinës, sipas gazetës, vazhduan edhe thirrjet rrënqethëse: “Do të bëhet kasaphanë, pastaj do të hakmerrem, kur të adhuroni kishën edhe kryqin”. Më tej vijuan dhe frazat për ne shqiptarët dhe për fqinjët e tjerë: “U thonë shkupjanë, u thonë shqiptarë, rrobat e mia do të qep me lëkurën e tyre”. Sipas gazetës, dëshmitarët treguan se thirrjet u përkrahën edhe nga qytetarë, të cilët ndiqnin paradën ushtarake dhe shoqëronin thirrjet në kor të ushtarakëve. “Një prej civilëve, madje u priu Forcave Speciale duke thirrur dhe ai së bashku me ta e duke i paraprirë atyre me thirrje i pari”, raportoi “Elefterotipia”. E gjitha kjo ndodhi ndërkohë që parada ndiqej në rrugë nga familjarë emigrantë që ishin mbledhur me dhjetëra, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë, shumë prej të cilëve shtruan pyetjen: “Pse kaq urrejtje ndaj nesh”. “Thua se nuk u votua në Parlament ligji për dhënien e nënshtetësisë për emigrantët. Thua se nuk kemi vendosur prej kohësh në këtë vend se emigrantët mund të marrin pjesë në paradat e nxënësve dhe madje edhe si flamurëmbajtës”, shkruan në komentin e saj Elefterotipia. Me një frymë kritike, Elefterotipia dënon thirrjet raciste dhe kujton se Greqia nuk është një vend që drejtohet si dikur nga ushtarakët. “Ndokush pyet: Si është e mundur ushtria greke, e cila parakalonte zyrtarisht dhe në mënyrë rreshtore në qendër të kryeqytetit, të ofendojë njerëzillëkun tonë, të denoncojë vendin tonë dhe të shkelë me këmbët e veta ligjin antiracizëm që lufton në vetvete retorikën e urrejtjes; jetojmë në 2010, dhe madje me Qeveri socialiste dhe jo si në kohët e shkuara, kur ushtria vendoste për gjithçka dhe kishte tjetër rol në çështjet e këtij vendi”, shprehet Elefterotipa në shkrimin e saj që zbuloi skandalin racist. Përpara pak kohësh gazeta greke “Ta Nea” publikoi një video të ngjashme të ushtarëve grekë, të cilët stërviteshin duke kënduar në korr një këngë me përmbajtje të theksuar antishqiptare e antiturke. “I shikoni ata, i quajnë shqiptarë, litarë do të bëjmë me zorrët e tyre. I shikoni ata, quhen turq, opinga do bëjmë me lëkurën e tyre...”, ishte një ndër tekstet e këngëve që këndohej gjatë marshimit.
Thirrjet e ushtarëve grekë
Grek lind, nuk bëhesh kurrë, jetën do të të marrim, more derr shqiptar
Shqiptarëve do t’u derdhim gjakun, me lëkurën e tyre do qepim rrobat tona
I quajnë shkupjanë, i quajnë shqiptarë, i quajnë turq, rrobat e mia do qep me lëkurat e tyre
Do të bëhet kasaphanë, pastaj do të hakmerrem, kur të adhuroni kishën edhe kryqin
Ditën e marshimit ofendues, Kuvendi miratoi varrezat greke
Parlamenti shqiptar miratoi në të njëjtën ditë, kur në Greqi festohej festa kombëtare, marrëveshjen për ngritjen e varrezave të ushtarëve grekë në Këlcyrë të Përmetit dhe në Bularat të Gjirokastrës. Me shumicë votash, ku 66 deputetë i thanë po kësaj marrëveshje, e cilësuar si e rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve. Në votimin e datës 25 mars në Kuvend, jo e gjithë maxhoranca ishte e bashkuar për t’i thënë po kësaj marrëveshje. Në votimin në tërësi të këtij propozimi të Qeverisë, pesë deputetë votuan kundër ndërsa një abstenoi. Në radhët e PD-së votuan kundër Ardian Kollozi, deputet i Vlorës dhe Bedri Hoxha, deputet i Dibrës. Ndërsa demokrati tjetër, Lefter Maliqi, deputet i qarkut të Beratit abstenoi me votën e tij. Kundër votuan edhe dy deputetët e PDU-së, Idrizi e Tahiri. Në votimin e datës 25 mars munguan deputetët e opozitës. Marrëveshja e miratuar në Kuvend me shumicë të thjeshtë votash “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarëve grekë, të rënë në Shqipëri, gjatë luftës greko-italiane, të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”, parashikon që në Përmet e Gjirokastër të ndërtohen dy memoriale për ushtarët greke të rënë në Shqipëri.
Meta dënon ngjarjen: Incident i krijuar nga elementë ekstremistë
Zëvendëskryeministri njëherësh Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, dënoi dje ngjarjen e ndodhur në radhët e ushtrisë greke, duke deklaruar mbrëmë për televizionin “Alsat” se shumë shpejt Tirana zyrtare do të ketë një reagim zyrtar. “Shumë shpejt do të kemi edhe një reagim zyrtar, pasi po konsultohemi me ambasadën tonë dhe me palën greke lidhur jo vetëm me evidentimin e asaj që ka ndodhur, por edhe me masat që pritet të merren nga autoritetet greke ndaj këtyre elementëve ekstremistë, që kanë fyer shqiptarët dhe që synojnë të nxisin një valë urrejtjeje dhe konflikti, për të cilat askush nga vendet tona nuk ka nevojë”, - tha Meta. Ministri shqiptar tha më tej se një sqarim nga shteti helen do të ndihmojë për të dënuar incidentin e ndodhur. “Sqarimi më i hollësishëm do të na ndihmojë të bëjmë një deklaratë zyrtare sa më të përgjegjshme dhe korrekte jo vetëm për të dënuar incidentin, por edhe për të ndihmuar në përparimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, që nuk duhet të pengohen nga incidente te tilla”, - shtoi Meta. Ministri u shpreh më tej se beson se në këtë incident nuk ka prapavijë politike, duke e cilësuar si një incident të krijuar nga elementë ekstremistë të papërgjegjshëm. “Unë nuk besoj se ky incident ka një prapavijë serioze politike. Elementë ekstremistë dhe të papërgjegjshëm mund të gjenden kudo për të krijuar incidente, por unë besoj se ndaj këtij incidenti do të ndërmerren qëndrimet e duhura nga autoritet greke dhe në këtë mënyrë besoj se nuk do të ndikojë në rritjen e një vale të re përplasjesh, deklaratash politike andej këndej”, - tha ministri i Jashtëm, Ilir Meta, në reagimin e tij.
Reagon Ministri i Mbrojtjes Civile
Krisohoidhis: Hetim urgjent për thirrjet raciste
Ministri grek i Mbrojtjes Civile, Mihalis Krisohoidhis reagoi menjëherë dje pasdite pas denoncimit në mediat greke të videos raciste të ushtarëve grekë, gjatë paradës së djeshme në festën Kombëtare të shtetit fqinj. “Gjatë paradës ushtarake në Athinë për festën e 25 Marsit, grupi i Kontigjentit zhytës të forcave detare, ka hedhur thirrje ekstreme raciste, siç paraqitet në videon që kemi parë”, është shprehur për mediat Ministri grek.
Ndërsa theksoi se ka nisur hetimi për thirrjet raciste dhe për personat që kënduan gjatë paradës, ministri Krisohoidhis bën të ditur se ndërkohë është pezulluar nga puna oficeri i kontingjentit 36 zhytës. “Këto sjellje nuk i shkojnë për shtat asnjë ushtaraku që është betuar përpara Kushtetutës dhe ligjeve të shtetit. Asnjë i papërgjegjshëm nuk ka të drejtë të njollosë shërbimin e tij dhe festimin e një dite historike për Greqinë, me thirrje raciste, urrejtje dhe ksenofobie”, është shprehur Ministri grek. Gjithashtu ai theksoi se “për fat të mirë nuk janë ngritur pikëpyetje sa i takon çështjes së edukimit, për stereotipe të rrezikshme që kurdisen apo inkurajohen në çdo repart ushtarak që merret me sigurinë e vendit. Por është e nevojshme që të jemi në gatishmëri të plotë ndaj çdo qëndrimi ekstrem të urrejtjes dhe racizmit që shfaqen nga secili. Ata njerëz nuk kanë vend në Forcat Detare”. Nisjen urgjent të një hetimi zyrtar administrativ ndaj thirrjeve raciste të ushtarakëve të kontingjentit të zhytësve, e kërkoi komandanti i forcave detare, nënadmirali Thanasi Busios. Në kohën kur Parlamenti shqiptar miratonte ligjin për ngritjen e varrezave të ushtarëve greke në vendin tonë, në paradën e ushtrisë greke më 25 mars, Ditën e Festës Kombëtare këndohej në korr kundër shqiptarëve.
Godo: U mbush kupa, Greqia të bëjë zap ushtrinë
Erald Kapri
Historiani Sabri Godo e vlerësoi ngjarjen e fundit në ushtrinë greke, ku një togë ushtarësh këndonin këngë raciste ndaj shqiptarëve, si një përsëritje dhe aspak aksident. Në një bisedë për gazetën “Panorama”, Godo shprehet se ngjarja është një përsëritje dhe kërkoi që shteti shqiptar të kërkojë sqarime të mëtejshme. Godo thotë më tej se kupa është mbushur dhe kjo ngjarje nuk duhet të kalojë pa bërë gjë. Historiani shton më tej se pala greke duhet të japë shembull për dënimin e kësaj ngjarje, duke shtuar se pret një reagim edhe nga Presidenti grek Papulias. Sipas Godos, Ministri shqiptar i Jashtëm duhet të kërkojë shpjegime nga Ambasadori grek në Tiranë e për më tej duhet që t’i japë porosi edhe Ambasadorit shqiptar në Athinë. Godo thotë se një frymë e tillë nuk mund të tolerohet, pikërisht ditën kur Parlamenti shqiptar miratoi një marrëveshje të rëndësishme për marrëdhëniet mes dy vendeve, atë të ndërtimit të varrezave greke në Shqipëri. “Këtu kemi të bëjmë me institucione dhe jo me klub të dehurish. Këto këngë nuk mund të jetë punë vetëm e një toge ushtarake, pasi duket se dikush ushqen një frymë të tillë në ushtrinë greke”, shprehet Godo. Politikani i vjetër jep mendimin se shteti grek do të duhet të nisë një hetim të zgjeruar mbi ngjarjen. Sipas tij, shkarkimi nga detyra e komandantit të Togës nuk është e mjaftueshme. “është koha të mbledhin mendjen dhe të bëjnë atë që u takon, dhe që i shërben miqësisë mes dy popujve”, thotë më tej për gazetën “Panorama”, historiani Sabri Godo.
Zoti Godo, cili ishte reagimi juaj për publikimin e videos ku gjatë një parade ushtarake, këndohej një këngë raciste ndaj shqiptarëve?
Kjo është një përsëritje. Kjo nuk është një aksident sepse ka ndodhur edhe më parë. Kemi të bëjmë me forca ushtarake që kontrollohen nga Qeveria dreke. Kështu që mendoj se pala jonë duhet të kërkojë një ndjesë publike dhe të kërkohen sqarime të mëtejshme. Ministri i Jashtëm shqiptar duhet të thërrasë Ambasadorin grek në Tiranë dhe t’i kërkojë shpjegime, por edhe Ambasadorit shqiptar në Athinë duhet t’i japë porosi.
Publikimi i kësaj videoje, erdhi pas miratimit në Kuvend të marrëveshjes për ngritjen e varrezave greke në Shqipëri. Si do ta vlerësonit ju këtë situatë?
Këtu kemi të bëjmë me institucione dhe jo me klub të dehurish. Këto këngë nuk mund të jenë punë vetëm e një toge ushtarake, pasi duket se dikush ushqen një frymë të tillë në ushtrinë greke. Tashmë është një kupë e mbushur dhe nuk mund ta kalojmë pa bërë gjë.
Cili duhet të jetë qëndrimi i shtetit shqiptar, sipas jush, por edhe çfarë prisni nga shteti grek në lidhje me këtë ngjarje?
Unë tani pres një deklaratë edhe nga Presidenti Papulias, që njihet si President i nderuar, që ka qenë për hapjen e marrëdhënieve me Shqipërinë e që ka mbajtur një qëndrim të pjekur. Ai nuk duhej të duronte që në atë tribunë të këndoheshin këngë të tilla. Shoh në lajme se Ministri grek ka pezulluar oficerin e atij reparti. Nëse duan t’u japin fund këtyre gjërave, duhet të vënë në hetim të gjithë repartin dhe të marrin masa komform kodeve që ka çdo vend e që duhet të bëjnë zap ushtrinë e tyre, për të mos kënduar më këngë banditësh.
Nuk ua kemi borxh grekëve dhe jemi treguar të hapur dhe të duruar ndaj tyre. është koha të mbledhin mendjen dhe të bëjnë atë që u takon dhe që i shërben miqësisë mes dy popujve.