E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, gjeneralët “sherr” në gjyq



Armand Bajrami

Gjeneralët e ushtrisë, Shpëtim Spahiu dhe Astrit Jaupi, dikur në pozitat e eprorit dhe vartësit në Forcat e Armatosura, u "përplasën" ashpër dje në procesin gjyqësor të "Gërdecit" në Gjyka-tën e Tiranës. Astrit Jaupi, i thirrur si dëshmitar në proces tha se urdhri për hapjen e punimeve në ndërtimin e fabrikës së municioneve ishte dhënë verbalisht nga eprori i tij, gjenerali Shpëtim Spahiu, aktualisht i pandehur në proces. "Urdhri është dhënë verbalisht. Urdhri me shkrim nuk erdhi kurrë. Nuk di të ketë ardhur edhe sot", - tha Jaupi, asokohe ish-komandant i Forcave Ajrore. Për rreth dy orë e gjysmë ai iu përgjigj pyetjeve të palëve. Jaupi përsëriti se nuk kishte pasur një urdhër me shkrim për lejimin e punimeve për ndërtimin e fabrikës. Dëshmia e tij shkaktoi kundërshtime nga gjenerali Shpëtim Spahiu, i cili mohoi të kishte dhënë një urdhër të tillë. Duke iu drejtuar njëri-tjetrit me "duhet ta dish, se je gjeneral", dëshmitari dhe i pandehuri përmendën pjesë të rregulloreve ushtarake mbi mënyrën e dhënies së urdhrave dhe zbatimit të tyre.
DëSHMIA E JAUPIT
"Kam shërbyer për 32 vjet në Forcat e Armatosura. Në vitin 2006 isha komandant i Forcave Ajrore. Në vitin 2008 dola në rezervë.
Repartet bazë të FA-së kanë qenë në Rinas, Farkë, Gjadër, Kuçovë e Maminas. Si komandant i forcave ajrore, kam pasur Brigadën e Mbrojtjes Ajrore, në vartësi të së cilës ishte brigada e Maminasit. Gërdeci ishte pronë, jo repart. Ish-reparti i tankeve në Gërdec ishte në ruajtje nga Brigada e Mbrojtjes Ajrore.
Në prill të vitit 2007 vartësit e mi më njoftuan se në postbllokun e ish-repartit të Tankeve në Gërdec, ishin paraqitur disa persona të dërguar nga Forca e Komandës së Bashkuar, për të kryer punime brenda në territorin e repartit. Vartësit e mi i ndaluan të nisnin punimet. Nënkolonel Mehmet Metko më vuri në dijeni të problemit dhe i thashë se firma nuk duhej lejuar të punonte, derisa të vijë urdhri nga Forca e Komandës së Bashkuar.
Pas kësaj, kam komunikuar me Komandantin e Forcës së Bashkuar, gjeneralin Shpëtim Spahiu. Ai më tha të lejoheshin të futeshin në objekt. Sipas tij, ata do të bënin disa matje që ishin në interes të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërmarrjes MEICO dhe do të punonin edhe disa amerikanë të SAC. Më vonë e mora vesh që bëhej fjalë për SAC, pasi fillimisht unë kujtova se bëhej fjalë për SAIK, një tjetër firmë. Spahiu më tha se të hënën do të vinte urdhri. Pas 30 minutash fola me nënkolonelin Mehmet Metko dhe i thashë 'të lejohen të punojnë dhe të hënën do t'ju vijë urdhri përkatës'. Lidhur me urdhrin e Ministrit të Mbrojtjes Nr. dt.25.04.2007, (ku detyra Forcës së Bashkuar ishte dhënia e një tokë me qira për kompaninë që do të kryente demontimin), nuk jam njohur, pasi nuk kisha lidhje me problemin në fjalë. Unë nuk kam parë urdhër me shkrim. Kam parë vetëm një kontratë, që na erdhi pas më shumë se dy muajsh. Ditë më pas jam njoftuar se punonjësit e asaj firmës së ndërtimit vazhdonin të punonin në ish-repartin e tankeve në Gërdec. Meqenëse urdhri me shkrim nuk erdhi, janë ndaluar disa herë punimet. Kemi njoftuar komandën e Forcës së Bashkuar që të na vijë shkresa përkatëse. Bëra vetë një kërkesë me shkrim. Pas kësaj, na erdhi shkresa që thoshte 'zbatoni pikën 6 të kontratës së lidhur nga komanda e Forcës së Bashkuar dhe firmës, që po kryente punimet'. Ishin dy kontrata. Një kontratë për shesh-ndërtimi dhe një tjetër për objekt. Nga ana e komandantit të Forcës së Bashkuar, Shpëtim Spahiut, na është thënë disa herë që prona 126 (ish-reparti i Gërdecit) do t'i kalojë MEICO-s. Në shkresat që citova, kam vënë në dijeni eprorët e mi në komandën e Forcave të Bashkuara se nga firma, që punonte në Gërdec, nuk po zbatoheshin pikat e kontratës. Kam komunikuar disa herë me eprorin tim, por urdhri nuk erdhi. Jam njohur me urdhrin e Ministrit për kalimin kapital të ish-repartit të Gërdecit për MEICO-n. Urdhri ka ardhur nga komandanti i Forcës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu. Deri në tetor, kur objekti i kaloi MEICO-s, nga ana jonë është zbatuar me përpikëmëri pika 6 e kontratës. I kujtova z.Spahiu se nuk po vinte urdhri. Më tha që të mos pengohej firma, pasi së shpejti do ma sillte urdhrin për kryerjen e punimeve dhe kalim kapitali të pronës, ndërmarrjes MEICO. Në tetor të 2007-ës, prona kaloi në pronësi të MEICO-s, dorëzimi i kapitalit u bë komplet. Megjithatë urdhri nuk erdhi, nuk di të ketë ardhur as sot. Di që në periudhën qershor-tetor 2007, në Gërdec dërgohej municion ushtarak nga Forcat e Armatosura", - u shpreh dëshmitari Astrit Jaupi.

Spahiu: S’kam dhënë kurrë urdhër verbal

TIRANE - "Unë nuk kam dhënë asnjë urdhër as me shkrim dhe as me gojë, që të lejohej kompania private të fillonte punimet në 28 prill 2007 në ish-repartin ushtarak të Gërdecit." Fill pas dëshmisë së Astrit Jaupit, ish-komandanti i Forcës së Bashkuar, gjenerali, Shpëtim Spahiu, mohoi të kishte urdhëruar lejimin e ndërtimit të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec. Në një deklarim të lirë, i pandehuri Spahiu, tha për gjykatën se ish-reparti i Gërdecit ishte nën administrimin e Forcave të Armatosura dhe jo të Forcës së Bashkuar. "Unë as kam kryer veprime që bien ndesh me përmbushjen e rregullt të detyrës sime si komandant i FB, as kam dhënë urdhra të kundraligjshëm me shkrim a me gojë, as kam vënë në dispozicion të dikujt ndonjë pronë e aq më pak të kem lejuar dikë që të prishë a dëmtojë pronën në administrim të njësive vartëse të FB-së", - tha Spahiu.
Sipas tij, dëshmitari Jaupi kishte fuqi ligjore të vepronte vetë në lejimin apo jo të punimeve në ish-repartin e Gërdecit. "Organi i prokurorisë, në themel të akuzës vendos deklarimet e ish-Komandantit Forcës Ajrore, Astrit Jaupi, i cili sipas ligjit dhe të gjitha akteve e dokumenteve shkresore, ka qenë përgjegjës për pronën 126, Gërdec, Vorë. Jo vetëm fakti që kjo pronë ka qenë e regjistruar në emër të Forcës Ajrore, por Astrit Jaupi ishte komandant i saj, që bazuar në Kushtetutë, ligjin e pushteteve dhe autoriteteve të komandimit e drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura, kishte fuqi të plote ligjore për të kryer veprimet që pretendon së është urdhëruar nga unë", - u shpreh ish-kreu i Forcës së Bashkuar. Në vijim të kundërshtimit mbi dëshminë e Astrit Jaupit, Spahiu sqaroi praktikën ushtarake të urdhrave verbalë. "Në praktikën e FA-së çdo urdhër me gojë detyrimisht pasqyrohet në dokumentet e qendrave operacionale në të gjitha nivelet e komandimit. Vetëm kjo dokumenton dhe i jep fuqi ligjore urdhrit. Edhe nëse ndodh që komandanti në takime të ndryshme jep urdhra apo detyra, stafi i zyrës që e shoqëron, i kthen ato në dokumente zyrtare dhe dërgohen zyrtarisht në destinacion. Unë kam vepruar vetëm bazuar mbi këto rregulla", - tha Spahiu.
FABRIKA
Në deklarimin e tij, i pandehuri Spahiu tha se i kishte dërguar informacion Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes, pas një vizite që kishte konsumuar në Gërdec ditët e para të prillit 2007, një specialist i tij dhe një nga kontraktorët e firmës SAC. Sipas tij, ndër të tjera në përmbajtje theksonte se "Vendi i përcaktuar nga kontraktori paraqet probleme për ngjarje të jashtëzakonshme" dhe "Kontraktori, shoqëria SAC, nuk ka paraqitur kërkesë zyrtare për marrje me qira trualli të lirë dhe dokumentet që parashikohen në VKM Nr. 162 datë 07. 03 2007."
Dje Spahiu tregoi për një takim që ka pasur në korrik të vitit 2007 në Gërdec me Ylli Pinarin dhe Mihal Delijorgjin, aktualisht të pandehur në proces. Sipas tij, ai shkoi në Gërdec për të takuar Pinarin për çështjen e riparimit të një helikopteri në Zvicër. "Në kohë të shkurtër bisedova me të. Aty ishte edhe Mihali e një amerikan, me të cilët u përshëndeta dhe folëm shkurt", - tha Spahiu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›