E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Dy rrugë për të dalë nga borxhi



nertila maho

Ulja e borxhit publik në vendin tonë mund të arrihet përmes zbatimit të rregullave fiskalë. Fondi Monetar Ndërkombëtar propozon dy të tillë, në një raport të fundit për Shqipërinë. FMN-ja vë në dukje se ulja e borxhit do të kërkonte një balancë fiskale më të fuqishme në të ardhmen, krahasuar me atë të së kaluarës. Në kuadrin e uljes së borxhit, rruga e parë që propozon fondi ëAshtë vënia në jetë e “rregullit të borxhit”, ku niveli i rritjes së tij do të vendosej si fraksion nominal i rritjes së GDP-së. Rritja e shpejtë e rritjes nominale të GDP-së në Shqipëri do të lejonte uljen e nivelit të borxhit relativisht shpejt, edhe në mungesë të uljes së stokut nominal të borxhit publik. Njëkohësisht, shfrytëzimi i periudhave kur përqindja e interesit apo kursi i këmbimit janë të favorshëm, do të ndihmonte në realizmin e objektivit në përputhje me uljen e synuar të nivelit të borxhit. Për të evituar lëkundje të padëshiruara të shpenzimeve, “rregulli i borxhit” duhet të vendoset bazuar në rritjen potenciale të prodhimit, duke lejuar në këtë mënyrë hapësirë për veprimin e stabilizatorëve automatikë. Rregulli tjetër fiskal që propozon FMN-ja është ai “i shpenzimeve”. Nëse objektivi do të ishte mbajtja e niveleve aktuale të shpenzimeve si përqindje e GDP-së, niveli i rritjes së tyre do të vendosej i barabartë me rritjen e prodhimit nominal të parashikuar, i cili do të evitonte luhatjen e stimuluar ciklike të shpenzimeve. Projektimi i rritjes afatmesme do të merrej si fuqi për rritjen potenciale të GDP-së. Por sipas fondit, një e metë e njohur e rregullit të shpenzimeve ka të bëjë me faktin që nuk mbulon të ardhurat. “Në këtë mënyrë, tendosja fiskale do të kishte nevojë të mbështetej më shumë në rritjen e të ardhurave, për të cilat ka ende hapësirë në Shqipëri, duke forcuar administratën tatimore, duke zgjeruar bazën e taksave dhe duke evituar heqjen e mëtejshme të tyre”, - thuhet në raportin e FMN-së, për objektivat fiskalë të Shqipërisë.
Niveli i përshtatshëm i borxhit
Fondi Monetar Ndërkombëtar argumenton se asnjëherë nuk është përcaktuar se cili nivel i borxhit publik është i mirë. “Një nivel i borxhit (X) e GDP-së mund të jetë i përshtatshëm në një vend të botës, por i papërshtatshëm për një tjetër shtet, karakterizuar nga përqindja e interesit apo kursi i këmbimit. “Synimi i një niveli shumë të ulët të borxhit publik, në një afat të shkurtër, kur niveli i tij është i lartë, mund të kërkojë një pozicion fiskal më të shtrënguar për një periudhë të gjatë kohe. Kjo mund të ketë kosto si: ulje të investimeve publike, mungesë të projekteve të mëdha investuese në një afat të mesëm, ulje të potencialit të prodhimit në të ardhmen, përmirësim më të ngadaltë të treguesve të zhvillimit. Në anën tjetër, duke pranuar një nivel më të lartë të borxhit publik, mbart rrezikun e një shoku të kundërt (siç janë ulja e prodhimit dhe e të ardhurave nga taksat gjatë krizave globale financiare), do të rriste koston e huamarrjes publike, rritje të nivelit të borxhit krahasuar me GDP-në dhe shfaqje të shqetësimeve për kontrollin e tij”, - thuhet në raport. Sipas FMN-së, dy përafrime mund të përdoren për të caktuar nivelin e borxhit publik. E para shihet se si niveli i borxhit publik të Shqipërisë krahasohet me atë të tregjeve të vendeve të tjera në zhvillim dhe atyre me të ardhura të ulëta, dhe e dyta, shihet se çfarë ka për të thënë literatura empirike për mbajtjen nën kontroll të borxhit publik. Lidhur me zbatimin e rregullave për uljen e borxhit, raporti i FMN-së thekson se është e rëndësishme të dihet që zbatimi mund të arrihet vetëm me përkrahjen politike. “Në mbyllje duhet nënvizuar se një vullnet i fortë politik për disiplinën fiskale është vendimtar që ligji fiskal të jetë efektiv. çdo rregull fiskal, që nuk ka mbështetjen politike për objektivat e vendosura, shpejt apo vonë, do të dështojë në arritjen e tyre”, - përfundon raporti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›