Sheshi “Skëndërbej”, qeveria nis “asfaltimin”
Sheshi “Skënderbej” është kthyer në shesh përplasjesh për qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës. Dje nga Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, u bë me dije nisma konkrete për asfaltimin e sheshit. Topografë të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve janë zhvendosur gjatë mesditës në qendër të kryeqytetit, për të bërë matjet e nevojshme, të cilat do të shërbejnë për projektin e rikonstruktimit dhe për hartimin e një preventivi fillestar për koston e asfaltimit të sheshit. Por kjo nismë nuk i ka pëlqyer aspak Bashkisë së Tiranës, e cila ka zgjedhur që të reagojë përmes deputetit të Partisë Socialiste, Eduart Shalsi, i cili e ka quajtur këtë nismë si të pakuptimtë. “Muajt e fundit, qytetarët e Tiranës kanë parë bashkinë të përgatitë rrugët që do të përballojnë devijimin e trafikut nga sheshi. Kanë dëgjuar Edi Ramën të njoftojë për pak ditë fillimin e punimeve, duke i kërkuar qeverisë që të bëjë shpronësimin te godinat e segmentit pranë INSIG-ut, në mënyrë që trafiku të jetë sa më i rrjedhshëm gjatë punimeve”, - u shpreh Shalsi. Sipas tij, kjo iniciativë e fundit është absurde dhe qesharake, pasi kjo qeveri kërkon të hedhë para, pikërisht pak ditë përpara fillimit të punimeve. “Në rast se do të duan të ndihmojnë, le të bëjnë shpronësimet. Por me sa duket, duan të pengojnë, duke bërë asfaltimin. Për më tepër që ky projekt, kjo ngjarje madhore për Tiranën, është fryt edhe i partnerëve tanë ndërkombëtarë, i miqve tanë, të cilët janë përfshirë duke financuar projektin, madje duke përzgjedhur edhe kompaninë, e cila do të kryejë punimet”, - përfundoi Shalsi, për nisjen e matjeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Kjo nismë vjen rreth tri ditë nga mbledhja e fundit e qeverisë, ku Kryeministri Berisha deklaroi se sheshi ndodhej në gjendje të mjerueshme dhe se duhej bërë diçka. Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë përmendi se në këtë rast kjo e fundit ka gati 10 milionë lekë për asfaltimin dhe se kjo do të bëhet për të mirën e kryeqytetit dhe jo për t’i marrë kompetencat ndokujt. Nga ana tjetër, një reagim i këtyre ditëve ka ardhur edhe nga Ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi i cili tha se ministra është e gatshme të bashkëpunojë me Bashkinë e Tiranës për këtë projekt. Por Olldashi nga ana tjetër thumboi se bashkia nuk ka një projekt konkret për asfaltimin dhe rikonstruksionin e sheshit, edhe pse fondet janë siguruar kohë më parë.