Kuqo-Belegu, debat pas incidentit
Pas incidentit që degjeneroi në dhunë fizike në miqësoren e basketbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, të zhvilluar në Bardhosh të Kosovës, tashmë është krijuar edhe një ‘armiqësi’ e re ndërmjet kapitenit të Kombëtares kuqezi, Ermal Kuqo, dhe drejtuesit të basketbollit kosovar, Erolld Belegu. Pas takimit të ndërprerë në çerekun e dytë të lojës, Belegu kishte fajësuar përfaqësuesen shqiptare, duke thënë se lojtarët e Mark Dikel ishin ata që nisën sherrin masiv në parket me arabët. Kreu i Federatës Kosovare të Basketbollit (FBK) kishte kritikuar edhe Kuqon, i cili ishte i përfshirë në atë përleshje, duke thënë se “nuk i ka hije një basketbollisti të madh, siç është Ermali, të sillet në atë mënyrë, duke u zënë me grushte me lojtarët arabë”. Kjo deklaratë e Belegut ka ngjallur zemërimin e ish-lojtarit të Kombëtares Turke. Në profilin e tij në portalin “Facebook”, Kuqo ka postuar një koment, ku i kundërpërgjigjet kritikave, madje duke mos kursyer as fyerjet. “Erolld Belegu, t’i ore zotëri, as sa gishti i vogël i këmbës time nuk bëhesh dot, e flit sa të duash për Ermal Kuqon!!! Këtë që ti po bën, ne këtej i themi ‘ta lash m**** me sh***’!”, ka shkruar kapiteni i Shqipërisë. Në anën tjetër, Belegu nuk ka dashur të flasë rreth komentit të Kuqos.
#