FFK pret përgjigje pozitive nga UEFA

Mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), e mbajtur të shtunën në Tokio, nuk ka sjellë ndonjë fryt për Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).
Ashtu siç ishte paralajmëruar, në këtë mbledhje është diskutuar për kërkesën e FFK’së për lejimin e zhvillimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare me përfaqësueses dhe klube kosovare.
Kësaj radhe, kërkesa e kosovarëve nuk u refuzua. Në fakt, Komiteti Ekzekutiv i FIFA’s, kërkesën e drejtuesve të futbollit kosovar ka vendosur t’ia dërgojë sërish shtëpisë evropiane të futbollit, UEFA.
“Kërkesa e Federatës së Futbollit të Kosovës për lejimin e zhvillimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare, do të shqyrtohet sërish nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA’s”, thuhet në njoftimin zyrtar të FIFA’s.
Drejtuesit e futbollit kosovar ende nuk janë njoftuar zyrtarisht për këtë vendim. Mirëpo ata vlerësojnë se vendimi i FIFA’s për t’ia kaluar UEFA’s këtë kërkesë, është një lajm i mirë.
“Ne ende nuk kemi marrë asgjë zyrtare nga FIFA për këtë. Unë mendoj se ky është një vendim pozitiv. Në një mënyrë, FIFA e ka pranuar kërkesën tonë, por tani obligon UEFA’n që të na futë në kalendarin e garave”, ka thënë për Express, nënkryetari i FFK’s, Agim Ademi.
Kjo nuk është hera e parë që drejtuesit e futbollit botëror e bëjnë një ‘lojë’ të tillë, duke hequr përgjegjësin nga vetja dhe duke ia hedhur Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA).
FIFA hiq më larg se në fillim të këtij viti kishte vepruar ngjashëm duke kërkuar nga UEFA, një sugjerim për kërkesën e FFK’së, për lejimin e organizimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare.
Sugjerimi i UEFA’s për kërkesën e Kosovës ishte negativ, derisa në bazë të kësaj, Komiteti Ekzekutiv i FIFA’s, në mbledhjen e mbajtur më 22 tetor të këtij viti në Zurich, nuk kishte miratuar kërkesën e FFK’së.
Por Ademi nuk mendon kjo është një lojë ndërmjet Federatës së Futbollit Botëror (FIFA) dhe asaj Evropiane (UEFA) që të largojnë nga vetja përgjegjësinë për marrjen e vendimit.
“Me vetë faktin që brenda tre muajve jemi futur në agjendën e FIFA’s, mendoj se ata janë vetëdijesuar edhe se e kanë bërë një vlerësim të padrejtë. Kësaj here, vlerësimi do të jetë pozitiv”, ka theksuar Ademi.
Reprezentacioni kosovar vazhdon të mbetet mjaft pasiv, pasi ndeshjen e fundit miqësore "ndër të rralla që i luan" e ka zhvilluar në muajin mars në Prishtinë, ndaj skuadrës shqiptare nga Maqedonia, Renovës. Ndërsa për ta zhvilluar ndeshjen e radhës, duhet të presë ende.