E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlament 2008, 36 deputetët që kanë votuar kundër vendimeve partiake

Zbardhen emrat e deputetëve, të cilët kanë votuar ndryshe nga grupet parlamentare ku bëjnë pjesë. Deputeti më “rebel”, Engjëll Cara i PSD-së, ka votuar 12 herë, ndryshe nga kolegët socialdemokratë

Shaban Sulçe

Vendimet e grupeve parlamentare për të votuar “pro” apo “kundër” për projektligjet në Kuvend nuk kanë qenë domosdoshmërisht “urdhra të verbër” për të gjithë deputetët që janë pjesëmarrës në këto grupe. Gjatë bilancit për aktivitetin e Parlamentit në vitin 2008, në shumë raste këto vendime janë thyer nga deputetë të caktuar, të cilët kanë votuar ndryshe nga vota në bllok e kolegëve të tyre të grupit parlamentar. Në raportin e përvitshëm “Unë votoj”, lëvizja “Mjaft” ka publikuar rezultatet e rasteve të monitoruara, të projektligjeve të votuara nga grupet parlamentare dhe votat antikonformiste të deputetëve të caktuar. Sipas këtij raporti, në krahasim me një vit më parë, numri i deputetëve antikonfirmistë është rritur. Në aktivitetin parlamentar për vitin 2007, numri i deputetëve të tillë ka qenë 23, ndërkohë që përsa i përket vitit 2008 ky numër ka qenë 35. Por duhet theksuar se shumica e rasteve, vota ndryshe ka qenë për projektligje jo shumë të rëndësishme dhe nuk ka qenë e lidhur me vendime të rëndësishme politike të partive apo kryetarëve të tyre, siç ka qenë ndryshimi i Kushtetutës apo miratimi i Kodit të ri Zgjedhor, i kontestuar nga shumë parti politike. Ashtu si në sesionin paraardhës, Grupi Parlamentar i Partisë Agrare Ambientaliste shfaqet si grupi më i konsoliduar, nuk ka asnjë rast që anëtarë të këtij grupi të kenë votuar ndryshe nga pjesa tjetër e Grupit. Gjithashtu dhe Grupi Parlamentar demokrat-reformator nuk ka pasur asnjë deputet antikonformist gjatë këtyre dy sesioneve parlamentare.

PR
Tre deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Republikane, Arian Madhi, Artur Hasanbelliu dhe Besnik Bisha, kanë votuar të paktën një herë kundër vendimit të Grupit Parlamentar në të cilin bëjnë pjesë. Arian Madhi ka votuar ndryshe nga kolegët e tij në një nismë ligjore, ndërkohë që deputetët Bisha dhe Hasanbelliu kanë votuar kundër nismës ligjore “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 9482, datë 03.04.2006 ‘Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje’, të ndryshuar”, ndryshe nga vota pro e kolegëve të tyre republikanë. Ndërkaq, në Grupin Parlamentar demokristian, Gilman Bakalli ka qenë i vetmi që ka votuar kundër dy projektligjeve, të cilat janë përkrahur dhe mbështetur nga grupi i tij parlamentar.

PSD
Ndryshe nga viti i kaluar, në Parlamentin e vitit 2008 deputetët antikonfirmistë kanë spikatur edhe në radhët e Grupit Parlamentar të Partisë Social-Demokrate. Deputetja Angjelina Kola nuk ka votuar për miratimin e Kodit të ri Zgjedhor, por më “rebeli” mund të konsiderohet deputeti social-demokrat Engjëll Cara, i cili ka votuar pro për 12 projektligje, ndërkohë që deputetët e PSD-së kanë votuar kundër për miratimin e tyre. Edhe deputeti tjetër e PSD-së, Pilo Kerri, në dy raste ka votuar pro ndaj dy projektligjeve, për të cilat Grupi Parlamentar social-demokrat ka votuar kundër. Ndërkohë në grupin parlamentar “Qendra demokrate”, deputeti Spiro Peci ka votuar kundër dy nisma ligjore, të cilat janë përkrahur nga pjesa tjetër e grupit të tij parlamentar. Gjithashtu, deputeti Leonard Solis ka votuar kundër vendimit të grupit parlamentar në një rast.

E Majta për Integrim

Tre deputetë të grupit parlamentar “E Majta për integrim” kanë votuar ndryshe nga kolegët e tyre gjatë vitit të kaluar. Spartak Braho ka votuar kundër dy nisma ligjore, të cilat janë përkrahur nga grupi i tij parlamentar, ndërkohë që Dritan Prifti ka votuar pro projektligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, kur grupi i tij parlamentar ka votuar kundër kësaj nisme ligjore. Edhe deputeti më i ri i këtij grupi parlamentar, Petro Koçi, në dy raste ka votuar ndryshe nga vota e grupit parlamentar ku bën pjesë. Votat “antikonformiste” kanë qenë me tepricë në radhët e grupit parlamentar “Të qendrës”. Deputeti Durim Hushi ka votuar kundër katër nismave ligjore, të cilat janë përkrahur nga pjesa tjetër e grupit të tij parlamentar. Deputeti Bukurosh Stafa ka votuar kundër gjashtë nismave ligjore, të cilat janë përkrahur dhe votuar pro nga grupi i tij parlamentar. Gjithashtu edhe deputeti Durim Lamaj ka votuar kundër tri nismave ligjore, të cilat janë përkrahur nga pjesa tjetër e grupit të tij parlamentar.

PS
17 deputetë të PS-së kanë votuar ndryshe nga vendimet e Grupit Parlamentar. Luan Memushi ka votuar kundër një sërë nismash ligjore, të cilat janë miratuar nga grupi i tij parlamentar. Stefan Çipa ka votuar kundër dy projektligje, të cilat janë miratuar nga pjesa tjetër e këtij grupi parlamentar, ndërsa deputetët Rajmona Stefa dhe Marko Bello kanë votuar kundër tre nismave ligjore për të cilat deputetët e Partisë Socialiste kanë votuar pro tyre. Ndërkohë ndryshe vendimit të grupit parlamentar kanë votuar përkatësisht nga njëherë deputetët: Fatmir Xhindi, Ben Blushi, Bashkim Fino, Taulant Balla, Albert Çaçi, Arben Malaj, Erion Braçe, Arben Isaraj, Ndriçim Hysa, Shpëtim Idrizi, Ermelinda Meksi, Andis Harasani dhe Rrapush Tola.

PD
Bujar Leskaj mund të konsiderohet deputeti më rebel në radhët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Në tri raste, deputeti i Vlorës ka votuar ndryshe nga vota e grupit parlamentar ku ai bën pjesë. Ndërkohë, në radhët e deputetëve antikonformistë mund të konsiderohen edhe tre deputetët e tjerë të PD-së, përkatësisht Besnik Mustafaj, Edi Paloka dhe Gjok Vuksani, të cilët kanë votuar respektivisht nga një herë kundër nismave ligjore, të miratuara nga Grupi Parlamentar i PD-së.

Emrat e Deputetëve antikonformistë

Emër Mbiemër Rastet e votimit ndryshe Grupi Parlamentar
Arian Madhi 1 Grupi Republikan
Artur Hasanbelliu 1 Grupi Republikan
Besnik Bisha 1 Grupi Republikan
Gilman Bakalli 2 Grupi Demokristian
Engjëll Cara 12 Grupi Social-Demokrat
Angjelina Kola 1 Grupi Social-Demokrat
Pilo Kerri 1 Grupi Social-Demokrat
Spiro Peçi 2 Grupi “Qendra Demokrate”
Leonard Solis 1 Grupi “Qendra Demokrate”
Spartak Braho 2 “E majta për Integrim”
Petro Koçi 2 “E majta për Integrim”
Dritan Prifti 1 “E majta për Integrim”
Durim Hushi 4 Grupi i “Qendrës”
Bukurosh Stafa 6 Grupi i “Qendrës”
Durim Lamaj 3 Grupi i “Qendrës”
Luan Memushi 6 Grupi i Partisë Socialiste
Rajmonda Stefa 3 Grupi i Partisë Socialiste
Marko Bello 3 Grupi i Partisë Socialiste
Stefan Çipa 2 Grupi i Partisë Socialiste
Fatmir Xhindi 1 Grupi i Partisë Socialiste
Ben Blushi 1 Grupi i Partisë Socialiste
Bashkim Fino 1 Grupi i Partisë Socialiste
Taulant Balla 1 Grupi i Partisë Socialiste
Albert Çaçi 1 Grupi i Partisë Socialiste
Arben Malaj 1 Grupi i Partisë Socialiste
Erion Braçe 1 Grupi i Partisë Socialiste
Arben Isaraj 1 Grupi i Partisë Socialiste
Ndriçim Hysa 1 Grupi i Partisë Socialiste
Shpëtim Idrizi 1 Grupi i Partisë Socialiste
Ermelinda Meksi 1 Grupi i Partisë Socialiste
Andis Harasani 1 Grupi i Partisë Socialiste
Rrapush Tola 1 Grupi i Partisë Socialiste
Edi Paloka 1 Grupi i Partisë Demokratike
Besnik Mustafaj 1 Grupi i Partisë Demokratike
Bujar Leskaj 3 Grupi i Partisë Demokratike
Gjokë Vuksani 1 Grupi i Partisë Demokratike

4 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›