Fushatë pasive për regjistrim në Maqedoni
Në Maqedoni prej 1 deri më 15 tetor do të zhvillohet regjistrimi i popullsisë, ndërkohë mungon një fushatë aktive.
Qytetarët kërkojnë të ketë më shumë informacione dhe detaje lidhur me regjistrimin.
Sidomos kërkesat janë për zonat rurale, ku nevojitet informimi më i detajuar lidhur mbi këtë proces.
Informimi kërkohet të sqarojë faktin se si do të regjistrohen të gjithë ata shtetas që gjenden jashtë vendit, por që çdo person i afërm i tyre mund të regjistrojë ata, me posedimin e dokumenteve të tyre.
Qytetarët janë të obliguar që të bëjnë përgatitjen e dokumenteve personale (si certifikatat e lindjes, nënshtetësinë, letërnjoftimin) për çdo anëtarë të familjes.
“Ne i kemi bërë thirrje me një apel të gjithë qytetarëve që të bëhen gati. Andaj mendoj se një praktikë e tillë duhet të vlejë edhe për komunat e tjera. Kjo nevojitet që ata të jenë gati. Me rëndësi është që çdo i afërm të informojë familjarët e tyre jashtë vendit, që gjithashtu edhe ata të dërgojnë ndonjë dokument personal për tu përfshirë në regjistrim”, theksoi kryetari i komunës së Haraçinës, Bastri Bajrami, me anë të një thirrjeje publike.
Zyrtarët shqiptarë në qeveri theksojnë se do të organizojnë aktivitete për të informuar këto ditë më detajisht qytetarët, ndërsa kjo do të bëhet edhe përmes fushatave informative.