E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA, 30 milionë USD për kampionen e Botës



FIFA do të shpërblejë me 30 milionë dollarë fituesin e Kampionatit Botëror që do të zhvillohet në Afrikën e Jugut vitin e ardhshëm. Qeveria e futbollit botëror do të shpërndajë 420 milionë dollarë për 32 ekipet finaliste në Kupën e Botës 2010. Kampionia merr 30 milion dollarë, ekipi finalist humbës 24 milionë dollarë. Vendi i tretë po 24 milionë dollarë dhe ai i katërt 20 milionë dollarë. Lajmin e bëri të ditur sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke. Në raport me Kampionatin Botëror të vitit 2006 të zhvilluar në Gjermani shuma është 60 për qind më e lartë. Në atë kampionat u shpërndanë në total 261 milionë dollarë.

SHORTI
Shorti i Kampionatit Botëror 2010 do të hidhet sot në Afrikën e Jugut, më 4 dhjetor në Kejp Taun. Në vazon 1 janë tetë kokat e serisë, skuadrat që kanë koeficientin më të lartë bazuar në renditjen e FIFA-s për muajin nëntor 2009, duke i shtuar këtu Afrikën e Jugut, si vendi organizator.

BASTET
Kompanitë më të mëdha të basteve kanë përzgjedhur Spanjën si favoriten kryesore për të fituar Kampionatin Botëror në Afrikën e Jugut. Spanja, kampionia në fuqi e Europës, është kuotuar si fituese e mundshme me koefiecientin 5.25. Brazili, rekordmen i botës përsa i përket kampionateve të fituara, 5 të tilla, është kuotuar (5,5), Anglia (8.0), Argjentina (9.0) dhe Gjermania (11.0). Italia, kampione në fuqi e botës, është e gjashta në parashikimet e kompanive të basteve me koeficientin 13.0.

VAZO 1
Afrika e Jugut, Italia, Argjentina, Brazili, Anglia, Gjermania, Holanda dhe Spanja

VAZO 2
Australia, Japonia, Koreja e Veriut, Koreja e Jugut, Hondurasi, Meksika, Shtetet e Bashkuara dhe Zelanda e Re

VAZO 3
Kili, Paraguai, Uruguai, Nigeria, Kameruni, Bregu i Fildishtë, Gana dhe Algjeria

VAZO 4
Danimarka Franca, Greqia, Serbia, Portugalia, Sllovenia, Slovakia dhe Zvicra.

Bastet, 300 lojtarë në hetim

Zgjerohet skandali i basteve në Europë, ku janë fiksuar të paktën 200 ndeshje në kampionate të ndryshme të kontintentit të vjetër. Sipas gazetës prestigjioze spanjolle “Marca”, në hetim për trukimin e ndeshjeve janë të paktën 300 futbollistë, të cilët militojnë në tre kampionatet e para spanjolle. Në Europë, sipas prokurorisë së Bokumit në Gjermani, janë gati 200 ndeshje të trukuara në Gjermani, Kroaci, Zvicër, Belgjikë, Turqi, etj.

Kasano – Ronaldinjo, duel asistesh

Në Serie A nuk ka luftë midis golashënuesve, por dhe një garë midisi futbollistëve përsa i përket asistëve, pasave të artë që shndërrohen më pas në gol. Milani dhe Sampdoria janë dy skuadra që u pëlqen të sulmojnë dhe të zhvillojnë një lojë ofensive. Në gjirin e dy ekipeve janë dy nga lojtarët më të mëdhenj në kampionatin italian: braziliani i Milanit, Ronaldinho, dhe barezi i Sampdorias, Antonio Kasano, dy krijues të mirëfilltë. Nuk është e rastit që Kasano kryeson listën e asistëve në këtë kampionat, me 7 topa të artë. Ronaldinjo vjen i dyti me 6. Kasano ka shënuar vetëm një gol, ndërkohë që Ronaldinjo ka realizuar 3, por 2 nga pika e bardhë.

Lampard: “Çelsi, i fortë taktikisht”

Jo vetëm forcë fizike dhe atletike, por dhe teknike e dije taktike. Kjo është sipas Frenk Lampard që ka çuar Çelsin në krye të renditjes në Premier League. Pas suksesit kundër Arsenalit që e çoi në fitoren e pestë rresht Çelsin, mesfushori i Anglisë, Lampard tha: “Jemi një skuadër komplete, e fortë fizikisht, me shumë cilësi dhe me një organizim optimal të lojës, kjo falë stërvitjeve që bëjmë me ushtrime të shumta taktike. Kampionati tashmë i përfunduar? Nuk besoj, është akoma shpejt”.

4 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›