E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjoni: “Krimi i organizuar nuk luftohet me qeveri të korruptuar

PS: Qeveria nuk reflekton mbi raportet e partnerëve. Qeveria, produkt i zgjedhjeve të fituara me metoda kriminale

Eljona Ballhysa
Partia Socialiste ka reaguar dje pas deklaratave të kryeministrit Berisha se do të luftojë mafien dhe krimin e organizuar. Deputeti i PS-së, Ilir Gjoni, është shprehur dje se krimi i organizuar nuk mund të luftohet nga një qeveri e korruptuar, e lidhur me mafien dhe që ka fituar zgjedhjet duket përdorur metoda kriminale. Po kështu, deputeti socialist risolli në vëmendje paralajmërimet e PS-së dhe raportet e shumta të ndërkombëtarëve që kanë vënë alarmin përsa i përket nivelit të krimit të organizuar në Shqipëri.
“Krimi organizuar nuk mund të luftohet në mënyrë efikase, pa analizuar me parë kontekstin shoqëror, i cili përcaktohet nga dy linja kryesore, që janë korrupsioni qeveritar dhe kriza ekonomike e politike. Aq më pak nga një qeveri, produkt i zgjedhjeve të fituara me metoda kriminale. Prandaj dhe Sali Berisha, bashkë me jakat e tij të bardha, me duar të pista, duhet të largohen një orë e më parë”, - është shprehur deputeti socialist.
Raportet
Duke iu referuar raporteve të ndërkombëtarëve, Gjoni u shpreh se kjo qeveri ka mangësi në luftën kundër krimit të organizuar, ndryshe nga sa deklarohet nga drejtuesit e saj. “Ju e mbani mend se para disa javësh ne kemi dalë në një konferencë të ngjashme shtypi ku shprehnim shqetësimin tonë për të dhënat e publikuara në raportin më të fundit të Europolit sa i përket krimit të organizuar në Shqipëri. Pas këtij raporti, kryeministri nuk u ndje fare. Më pas doli raporti i Transparency International, i cili e rendiste vendin tonë dhjetë shkallë më poshtë nga një vit më parë, duke u rënë kambanave të alarmit për rrezikshmërinë e fenomenit të korrupsionit. Komisioni Europian, në Dokumentin Strategjik Vjetor, i cili iu paraqit rishtas vendeve anëtare të BE-së, në analizën që i bën vendit tonë, rithekson se Shqipëria duhet të forcojë shtetin ligjor, veçanërisht luftën kundër krimit e korrupsionit. I sugjerojmë kryeministrit t’u hedhë një sy raporteve të DIA-s italiane, e cila thekson se ‘krimi i organizuar shqiptar është i strukturuar në veprimtari që lidhen me trafikun ndërkombëtar të drogave dhe shfrytëzimin e prostitucionit, dhe drejtohet nga individë që jetojnë në atdheun e tyre (Shqipëri) ku edhe riinvestojnë fitimet e nxjerra nga veprimtaritë e jashtëligjshme’”, - është shprehur Gjoni. Ai ka shtuar se qeveritarët shqiptarë janë ata që nëpërmjet parave të pista mbajnë në këmbë makinerinë shtetërore.
Akuzat
Më tej deputeti socialist hodhi akuza kundrejt kreut të PD-së dhe nënkryetares Topalli për korrupsion dhe për përdorim të parave shtetërore. “Përse Berisha dhe Topalli nuk flasin për tunelin e Thirrës dhe miliardat që i çuan dëm? Ata kanë frikë se paratë që kanë përvetësuar do t’u ngecin në fyt. Le t’u thotë shqiptarëve Sali Berisha sa i ka kushtuar Gardës së Republikës kali me të cilin kalërojnë fëmijët e nipërit e tij në malin e Dajtit, ku ai kalon fundjavat e tij. Sali Berisha nuk mund të luftojë realisht krimin e organizuar, pasi është vetë i mbërthyer prej tij”, - është shprehur Gjoni. “Nuk ka mundësi ky njeri, i cili ngriti piramidat dhe rrënoi një popull të tërë, i cili shpërtheu depot e municioneve dhe shkatërroi një shtet të tërë, i cili theu me ndërgjegje të plotë embargon e OKB-së duke i shitur naftë Millosheviçit, duke tradhtuar një komb të tërë, i cili dhunonte e sulmonte institucionet e shtetit me armë si në 1997-n, apo 1998-n, i cili hidhte në erë shtyllat e tensionit të lartë, i cili nuk gjen dorën kriminale që mori jetën e deputetit Fatmir Xhindi, i cili vepron me kufijtë e atdheut sikur të ishte në pronat e të atit, i cili vepron me pronën private sikur ta kishte të tijën, i cili abuzon çdo ditë me financat publike, të ketë shans të luftojë krimin”, - është shprehur deputeti socialist.

5 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›