SHBA, Gejts firmos dërgimin e trupave në Afganistan
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts ka firmosur urdhërin për nisjen e 30 mijë ushtarëve amerikanë në Afganistan. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Gejts, sipas të cilit njësitë e para do të nisen pas disa javësh dhe shumica e tyre do të qëndrojnë në Afganistan deri në fund të korrikut, ndërsa pjesa tjetër deri në fund të shtatorit. Gejts ka paralajmëruar Amerikën se duhet të presë më shumë viktima, duke qenë se ushtarët që do të dërgohen do të jenë në vijën e parë.
Greqi
Brenda 24 orëve vdesin 5 persona me A/H1N1
Rastet e vdekjeve nga gripi A/H1N1 në Greqi janë dyfishuar gjatë javës së fundit, ndërkohë që vetëm në 24 orët e fundit kanë vdekur pesë persona. Lajmi bëhet i ditur nga mediet greke.
Ndërkohë qeveria po merr masat e radhës ndaj gripit vdekjeprurës. Duke filluar nga dje, 220 shkolla u mbyllën në Athinë dhe Pire. Ministria greke e Shëndetësisë njoftoi se deri dje në vend ishin vaksinuar rreth 125 000 persona. Greqia është ndër vendet e para të Ballkanit që u prek që në sezonin e verës nga gripi i derrit.
Somali
Mes 14 të vdekurve, 3 ministra
14 persona janë vrarë, përfshirë tre ministra të qeverisë së Somalisë, në një shpërthim në një hotel në kryeqytetin e këtij vendi, Mogadishu. Shpërthimi ndodhi gjatë një ceremonie diplomimi ku, përveç studentëve, ishin të pranishëm disa zyrtarë dhe gazetarë. Autoritetet besojnë se fjala është për një sulm vetëvrasës me bombë. Një zëdhënës i qeverisë konfirmoi se në këtë shpërthim ishin vrarë ministrat e arsimit, arsimit të lartë dhe shëndetësisë. Ende nuk dihen shkaqet e këtij shpërthimi.
4 Dhjetor 2009