E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA: Shqipëria të respektojë statutet tona

 

Zherom Shampanj, drejtori i marrëdhënieve ndërkombëtare të FIFA-s, sqaron situatën ku ndodhet Shqipëria

 

Pas pezullimit nga aktivitetet ndërkombëtare, FIFA paralajmëron edhe një herë tjetër Shqipërinë. "Bëni kujdes!"- është thirrja e këshilltarit juridik të presidentit të FIFA-s, Zherom Shampanj, në një intervistë të dhënë dje për televizionin "Top Channel", ku shprehej: "FIFA respekton shumë qeverinë dhe sovranitetin e institucioneve, bashkë me parlamentin, por në ligjin e ri për sportin ne kemi një problem në lidhje me faktin se 10% të të drejtave televizive i hiqen Federatës Shqiptare të Futbollit. Megjithatë, qeveria ka të drejtë të kontrollojë vetëm fondet publike që ajo i jep FSHF-së, ndërkohë që të gjitha fondet e tjera që vijnë nga FIFA dhe UEFA kontrollohen nga ne, nëpërmjet kompanive audituese ndërkombëtare. Për këtë arsye, ne jemi shumë strikt në këtë pikë. Nëpërmjet korespondencës sonë, kemi shpjeguar që të ardhurat nga e drejta televizive nuk mund të preken, sepse ato para na përkasin ne. Çështja e dytë ka lidhje me statutin. Ashtu siç e dini, më 2 qershor të vitit të kaluar, në mbledhjen e asamblesë, FSHF-ja ka pranuar instruksionet e FIFA-s dhe UEFA-s, ndërkohë që ky statut ende nuk është regjistruar. Ne i respektojmë institucionet shqiptare dhe sovranitetin e tyre, por për të qenë pjesëtarë të FIFA-s dhe UEFA-s, ata duhet të respektojnë statutet tona."

Në lidhje me kërkesat e 7 klubeve të superiores, Shampanji nënvizon: "Klubet janë anëtare të FSHF-së dhe si rrjedhojë duhet të respektojnë statutin e FIFA-s. Në të njëjtën kohë, ato duhet të respektojnë vendimet që merr FIFA dhe UEFA, të cilat janë marrë në mënyrë të pavarur. Jemi informuar që do të zhvillohet një takim me përfaqësuesit e klubeve dhe ne do të kemi gjithçka nën vëzhgim, gjithashtu do të presim edhe reagimin e ministrit Pango. Këtë situatë do ta monitorojmë me shumë kujdes."

Zyrtari i FIFA-s foli edhe për dyshimet që kishte ministri i Sporteve, Ylli Pango, në lidhje me dy ndeshjet e fundit eliminatore: "Për sa u përket dyshimeve për fiksimin e rezultateve në dy ndeshjet e fundit eliminatore me Bjellorusinë dhe Rumaninë, mund t'ju them se i kemi kërkuar ministrit Pango fakte. Deri në këto momente nuk na ka ardhur asnjë fakt. Nuk mendoj se duhet të krijohet një situatë e tillë, e cila njollos imazhin e FSHF-së. Jemi përpjekur edhe më parë, por u detyruam për ta marrë këtë vendim. Ndërkohë, për deklaratën e Kryeministrit Berisha, nuk kam asnjë koment. Dua të shtoj se sot (dje) Shqipëria duhet të zhvillonte miqësoren me Moldavinë, ndërsa ekipi U-21 eliminatoren me Greqinë, por këto dy ndeshje janë pezulluar. FIFA është në koherencë me UEFA-n dhe nuk mund ta lërë Shqipërinë të zhvillojë takime ndërkombëtare."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›