Nis "fshesa" në Ministrinë e Mbrojtjes
Shkarkime masive në Ministrinë e Mbrojtjes. Mbi 20 sektorë në këtë ministri do të preken nga vala e ndryshimeve, me ardhjen e ministrit të ri të Mbrojtjes. Burime pranë kësaj ministrie kanë bërë me dije se informatat për reformën në 8 drejtoritë e kësaj ministrie dhe 23 sektorët kanë ardhur që pas dorëheqjes së ministrit Mediu ditën e hënë. Tetë drejtorët kryesorë në Ministrinë e Mbrojtjes do të zëvendësohen shumë shpejt nga figura të tjera, të cilët do të propozohen nga Partia Demokratike. Një opsion i hapur është edhe rikthimi i figurave të vjetra të ushtrisë, të cilët janë larguar nga ministria për arsye politike. Ministri i ri në detyrë, Gazmend Oketa, ka premtuar se do të ketë bashkëpunim të mirë mes ushtrisë dhe ministrisë, duke ndaluar në këtë mënyrë betejën e akuzave të ndërsjella sa nga kampi i Forcave të Armatosura dhe sa nga ana e ministrisë për t‘i faturuar njëra-tjetrës përgjegjësinë e shpërthimit të Gërdecit. Drejtoria e Inspektimit të Përgjithshëm, Drejtoria e Planifikimit, Programimit dhe Buxhetit, ajo e Integrimit Euroatlantik, e Auditivit të Brendshëm dhe e burimeve e njerëzore po përjetojnë ethet e shkarkimeve nga puna për shkak të ndryshimit të ministrit. Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar disa ditë më parë se cilido institucion duhet të marrë përsipër përgjegjësitë që i takon për sa i përket tragjedisë së Gërdecit. Hiroshima e Gërdecit nuk tronditi vetëm qeverinë dhe politikën shqiptare, nuk dëmtoi vetëm imazhin e republikanëve, por goditi edhe në zemër të disa drejtorive të rëndësishme të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat shumë shpejt do t‘i nënshtrohen valëve të ndryshimeve. Ashtu si ndryshimet në qeveri, që priten të bëhen pas samitit edhe zëvendësimet në Ministrinë e Mbrojtjes priten të kryhen zyrtarisht pas tij. Disa prej atyre që sot mund t‘i quajmë ish-zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, duke ditur se po preken nga vala e shkarkimit, kanë lënë zyrat e tyre, duke mos ditur madje as se cili do të jetë zëvendësuesi i tyre.