Samiti i NATO-s, Topi dhe Berisha, të ndarë në Bukuresht
Samiti i Bukureshtit ndan Kryeministrin Sali Berisha nga Presidenti Bamir Topi. Shqipëria do të përfaqësohet më datat 2-4 prill në kryeqytetin rumun me dy delegacione shqiptare për të kërkuar ftesën e NATO-s. Delegacioni zyrtar do të kryesohet nga kreu i shtetit, ndërsa një delegacion tjetër i kryesuar nga kreu i qeverisë, Sali Berisha, do të niset ditën e mërkurë për në Bukuresht. Presidenti Topi do të udhëtojë drejt Bukureshtit mëngjesin e ditës së mërkurë me "Lufthansa"-n, ndërsa Kryeministri Berisha pak minuta më vonë me linjën e Vjenës. Së bashku me Topin do të udhëtojnë ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, kryetari i grupit kuvendor të PD-së, Astrit Patozi, dhe kryetari i grupit kuvendor të PS-së, Valentina Leskaj. Ndërsa me avionin tjetër ku do të jetë edhe Kryeministri Berisha do të jenë shefi i kabinetit të Kryeministrisë, Arben Imami, shefi i koordinimit të NATO-s, Glori Husi, dhe delegacioni i Ministrisë së Jashtme. Shkaku i ndarjes së delegacioneve është konfirmuar se bëhet për arsye sigurie. Zyra e shtypit në Kryeministri konfirmon se Berisha nuk do të udhëtojë në të njëjtin avion me Presidentin e Republikës, për shkak se protokolli nuk lejon që të gjitha figurat më të larta të një vendi të udhëtojnë në të njëjtin avion, për arsye sigurie. Gjithsesi, ky fakt tregon se marrëdhëniet mes Presidentit dhe Kryeministrit nuk janë në formën e tyre më të mirë. Kjo u pa edhe në ceremoninë që Presidenti Topi organizoi ditën e premte për ministrin e ri të Mbrojtjes, ku u vu re mungesa e Kryeministrit Berisha. Në delegacionin zyrtar nuk është e përfshirë as Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila po ashtu si Berisha, mungoi në ceremoninë e ditës së premte në Presidencë. Vlen të theksohet se Samiti i Bukureshtit, ndan Berishën nga Topi, por bashkon mazhorancën me opozitën. Në të njëjtin avion me Presidentin Topi dhe kryetarin e grupit kuvendor të PD-së, Astrit Patozi, do të jetë edhe kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj. Pas përfundimit të samitit dhe gjatë kthimit nga Bukureshti, Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, do të takohet në Kroaci me Presidentin Bamir Topi dhe Kryeministrin Sali Berisha. Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ka bërë publike dje përbërjen e delegacionit zyrtar të Shqipërisë që do të marrë pjesë në Samitin e NATO-s në Bukuresht. "Delegacioni zyrtar, që do të niset nga Shqipëria në Samitin e Bukureshtit, do të përbëhet nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ambasadori i akredituar në Bruksel, ambasadori në Rumani, si dhe kryetarët e dy grupeve më të mëdha parlamentare", tha Basha. Këtë deklaratë Basha e bëri pas kthimit të tij nga Sllovenia, ku ka marrë pjesë në mbledhjen informale të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor. "Përmbushja e kritereve politike, ligjore, vazhdimi me sukses i reformave të ndërmarra nga Shqipëria, të cilat vlerësohen edhe nga BE-ja si shembull frymëzimi për vendet e tjera të rajonit, po bëjnë bazën e vendimmarrjes politike në Bukuresht, vendimmarrje për të cilën kemi të gjithë arsyen të besojmë se do të jetë pozitive për Shqipërinë", tha ai. Në përfundim, ministri Basha bëri thirrje që ky moment i rëndësishëm në marrëdhënien 17-vjeçare të vendit tonë me BE-në të trajtohet me rëndësinë e duhur, e cila sigurisht do të shpaloset edhe në javët dhe muajt e ardhshëm pas Samitit të Bukureshtit, ku marrëdhënia e vendit tonë me BE-në do të hyjë në një fazë të re dhe të intensifikuar bashkëpunimi.