E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Trafikantët kanë dhënë lekë për liberalizimin e tregtisë së armëve

 

Nënkryetari i grupit të PS ka hedhur dyshime se janë dhënë lekë për miratimin e ligjit me procedurë të përshpejtuar

"Mbi Kryeministrin ka rënë hija e zezë e një ligji të miratuar me procedurë të përshpejtuar më 5 prill të 2007"

Faktet e publikuar nga dy gazetat e mëdha amerikane, "New York Times" (NYT) dhe "Herald Tribune" (HT), për implikim të zyrtarëve të lartë shtetërorë në aferat korruptive të trafikut të armëve nga Shqipëria drejt Afganistanit, kanë krijuar tek Partia Socialiste bindjen se ky rast përbënë një krim të organizuar nga një grup kriminal i strukturuar. Nënkryetari i grupit kuvendor të kësaj force, Erion Braçe në një komunikim me mediat, duke iu referuar pikërisht kësaj çështjeje ka hedhur dje dyshime se edhe ligji për liberalizimin të eksportit të armëve, miratuar gati një vit më parë, ka qenë pjesë e një skenari për të mundësuar aferat korruptive me trafikun e paligjshëm. Sipas tij, kanë qenë persona të caktuar ata që kanë sponsorizuar apo lobuar në Kuvendin e Shqipërisë për miratimin e këtij ligji me procedurë të përshpejtuar. "Mbi Kryeministrin ka rënë hija e zezë e një ligji të miratuar me procedurë të përshpejtuar më 5 prill të vitit që shkoi. Mbetet dyshimi nëse janë paguar para për kalimin me procedurë të përshpejtuar të këtij ligji që legalizonte trafikun e armëve përmes këtyre dy kompanive që tashmë janë bërë publike. Dhe në rast se po, kush i ka marrë këto para në Kuvendin e Shqipërisë?",- u shpreh numri dy i parlamentarëve socialistë, Erion Braçe. Nisur nga ky dyshim, si dhe nga faktet e reja të bëra publike nga mediat, Partia Socialiste i kërkon edhe një herë prokurorisë që të hetojë jo vetëm mbi veprimtarinë e disa zyrtarëve të ulët, por ta përqendrojë investigimin e saj tek drejtuesit e lartë shtetërorë, si kryeministri Sali Berisha, ish-ministri tashmë i dorëhequr i Mbrojtjes, Fatmir Mediu etj. Por për t'i hapur rrugë këtij hetimi, selia rozë ka përsëritur dhe një herë kërkesën e saj drejtuar Kryeministrit për dorëheqjen dhe dorëzimin e imunitetit të deputetit. "Kryeministri në ikje Sali Berisha duhet t'i lërë përpjekjet e tij të kota në mbrojtje të trafikut dhe t'i hapë rrugë shtetit ligjor, organeve të drejtësisë, të hetojnë deri në fund, çdo element të këtij grupi të strukturuar kriminal dhe çdo element të këtij trafiku kriminal. Tani janë të gjithë provat që prokuroria të hetojë në këtë pikë, pra në trafikun e armëve, grupin kriminal, që është mëse i dallueshëm tashmë",- tha Braçe. Sipas tij, Kryeministri duhet të tregojë para Samitit të NATO-s se është i gatshëm që të marrë përgjegjësitë e tij jo vetëm morale, por edhe ligjore për trafikun e armëve dhe tragjedinë e Gërdecit, si pasojë e kësaj tregtie të pandershme. "Deri në Samitin e Bukureshtit, ku ne presim të marrim ftesën për në NATO, duhet të tregojmë se jemi partnerë të SHBA-së dhe jo partnerë të trafikut të armëve",- tha Braçe. Braçe ka theksuar gjithashtu se përpjekjet e Kryeministrit për të hedhur poshtë akuzat publike për përfshirje në aferat korruptive të tregtisë së armëve bien në kundërshtim dhe me qëndrimin e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, i cili, sipas tij, konfirmoi trafikun e armëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›