Basha: BE-ja përkrah reformat e ndërmarra në vend
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, deklaroi dje se "Bashkimi Evropian ka përshëndetur progresin e Shqipërisë në reformat e ndërmarra, duke e konsideruar këtë progres frymëzues për vendet e tjera të rajonit". Këtë deklaratë Basha e bëri pas kthimit të tij nga Sllovenia, ku ka marrë pjesë në mbledhjen informale të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor. Sipas ministrit Basha "në fokus të takimit ka qenë përshpejtimi i integrimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor". "Gjatë këtij takimi, ministrat e jashtëm kanë diskutuar mbi bashkëpunimin e deritanishëm midis vendeve të BE-së dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe kanë identifikuar fusha të tjera prioritare të këtij bashkëpunimi. Dialogu për liberalizimin e vizave, të cilin Shqipëria e ka filluar disa javë më parë me vizitën e zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian në Tiranë, Fratini, bashkëpunimi në fushën e transportit, arsimit, energjisë dhe programe të tjera, si dhe bashkëpunimi në fushën e drejtësisë dhe të policisë, kanë qenë disa prej fushave kryesore të identifikuara në këtë dialog të Bashkimit Evropian dhe vendeve aspirate të Ballkanit Perëndimor", tha ministri Basha. Ndërkohë, shefi i diplomacisë shqiptare, u shpreh se "për herë të parë në historinë 17-vjeçare të marrëdhënieve të vendit tonë me BE-në, kjo e fundit ka dhënë mesazhe të forta vlerësimi për Shqipërinë në krahasim me vendet e tjera të rajonit". "Ky vlerësim vjen në vazhdën e vlerësimeve të tjera, siç ishin ato të shprehura gjatë vizitës së zv.presidentit të KE-së Fratini në Tiranë, apo të shprehura gjatë dialogut politik të Trojkës, përkatësisht nga sekretari i përgjithshëm dhe përfaqësuesi i lartë, Havier Solana, dhe nga komisioneri për zgjerimin Oli Rehn", vlerësoi ministri Basha. Sipas tij "kjo demonstron qartësisht se bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe BE-së po hyn në një fazë të re e të rëndësishme në raport me aspiratën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian".