E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA dënon... ekranin e madh. Heshtje për gafat e arbitrave

Problematika Urdhri: Golat të mos përsëriten në televizorët e mëdhenj të stadiumeve

Gafat trashanike të gjyqtarëve nuk kanë ndryshuar asgjë. FIFA jo vetëm që refuzoi hapjen e një diskutimi rreth gabimeve të arbitrave në Botërorin 2010 në Afrikën e Jugut dhe mundësinë që drejtësia të vendosej në vend falë pamjeve filmike, por ky institucion kritikoi transmetimin e imazheve në ekranet e mëdha të stadiumit. Kjo ndodhi në rastin e golit të parë të Argjentinës në impiantin e Johanesburgut, ku dukej fare qartë që pozicioni i Karlos Tevez ishte i parregullt, ndërsa gjyqtari Roseti dhe asistenti i tij, Airoldi, u dukën se për një moment ndryshuan mendim. Ndërkohë, në takimin e parë të së dielës, atë ndërmjet Gjermanisë dhe Anglisë, vijërojtësi Espinoza dhe gjyqtari Larrionda nuk akorduan një gol të rregullt për skuadrën e Kapelos, kur rezultati i ndeshjes ishte 2-1. Qëndrimi i FIFA-s u bë i ditur nga zëdhënësi i “qeverisë” së futbollit, Nikolas Maingot, i cili refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve që kishin lidhje me kontestimet për gjyqtarët. “Në konferencën e sotme (djeshme), nuk kemi ndërmend të hapim një diskutim rreth punës dhe paraqitjes së gjyqtarëve në këtë botëror”, deklaroi ai paraprakisht. Rreth refuzimit për të përdorur përsëritjen e pamjeve në fushë, Maingot theksoi qëndrimin e Bordit Ndërkombëtar, që përcakton rregullat e lojës. Ndërkohë, në mënyrë të pabesueshme, ai u shpreh kundër transmetimit të pamjeve në ekranet e mëdha të “Socer City Stadium”: “Ato imazhe nuk duhej të ishin paraqitur”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›