E Diel, 1 Nëntor 2026

Holanda fluturon në çerekfinale. Sllovakia largohet me kokën lart

Durban

Ndeshja në Durban nuk ka qenë spektakolare dhe nuk rezervoi goleadë. Megjithëse debutuese, Sllovakia tregoi se është një skuadër e fortë. Këtë e tregon rezultati 2-1 me të cilin Holanda siguroi kualifikimin në çerekfinale, aty ku sfidat bëhen shumë të ashpra. “Tulipanët” vazhdojnë ecurinë me hapa të vegjël, pa bërë bujë, duke praktikuar një futboll praktik e pragmatist dhe hyjnë në zemrën e Kupës së Botës 2010. Goli i parë realizohet nga Roben, ndërsa shifrat dyfishohen nga Shnajder. Dy yjet e përfaqësueses “portokalli”. Por, ndërmjet golave janë regjistruar edhe dy raste të shkëlqyera për sllovakët, të cilat u neutralizuan nga portieri Stekelemburg. Vitek arrin të ngushtojë diferencën në të 94-tën me penallti, por ishte shumë vonë për të tentuar përmbysjen. Gjithsesi, skuadra e drejtuar nga Vladimir Vais përshëndet Afrikën e Jugut me kokën lart dhe mund të mburret me faktin se dërgoi përpara kohe në shtëpi Italinë, kampionen e botës në fuqi.

Ndryshe nga sa pritej, Sllovakia luajti e hapur, pasi nuk kishte asgjë për të humbur. Megjithatë, vrulli i të besuarve të Veis u ndërpre vetëm pas 18 minutave lojë, kur Arjen Roben, i aktivizuar për herë të parë si titullar, shënoi në mënyrën e tij. Holandës i mjaftuan vetëm dy pasime për të ndarë në dy pjesë kundërshtarët, topi kaloi në të djathtën tek ylli i Bajernit të Mynihut, i cili futet në qendër dhe mes tre kundërshtarëve gjuan, duke e dërguar topin pas shpinës së portierit Muça. Sllovakët tentojnë të reagojnë, pa arritur të shqetësojnë mbrojtjen “portokalli”, ndërsa rrjeta e avantazhit mbetet emocioni i vetëm i 45 minutave të para. Fraksioni i dytë i lojës nis në mënyrë të jashtëzakonshme për holandezët, që në harkun e 5 minutave regjistrojnë dy shanse për gol, por Roben dhe Matijsen janë të pafat përpara portës. Në të 67-tën, “tulipanët” shpëtojnë falë ndërhyrjeve të Stekelenburg: fillimisht ai largon një tentativë të Stok, ndërsa më pas eviton një gol të sigurt, pas gjuajtjes së Vitek nga një distancë e afërt. Trajneri Bert Van Marvijk nuk trembet dhe aktivizon sulmues (Elian dhe Huntelar), por goli vjen nga Shnajder, që thjesht shtyn në rrjetë asistin e Kuijt. Sllovakia kërkon të lejë shenjë dhe në minutat shtesë realizon me Vitek me penallti. Kjo ishte rrjeta e katërt e sulmuesit në Afrikën e Jugut, duke përfshirë edhe dygolëshin që ktheu Italinë në shtëpi.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›