Holandë-Brazil
Brazili nuk e ka shumë problem të likuidojë Kilin falë golave të Huan, Luis Fabiano e Robinjos. Kjo ndeshje ka qenë një provë e forcës për kualifikimin e verdhëjeshilëve, të cilët do të sfidojnë Holandën në çerekfinale. Skuadra e Bielsës del me kokën lart nga Botërori Afrikë e Jugut 2010, pasi ka nxjerrë në pah një lojë shumë pozitive dhe ka mundur të tregojë anët e saj më të mira.
Kishte filluar shumë mirë formacionin kilian, duke luajtur një lojë të hapur dhe duke ndërtuar aksione të rrezikshme për mbrojtjen kundërshtare. Ndërkohë që një gjë të tillë nuk po e bënin dot Kaka me shokë. Pas një goditjeje dënimi të kërkuar nga brazilianët, për një rrëzim në zonë të Lusios, por të padhënë nga drejtuesi i garës, në minutën e 35’ ka ndryshuar fati i këtij takimi: Nga një goditje dënimi Huan ka kërcyer më lart se të gjithë dhe e ka devijuar topin drejtë rrjetës kiliane, pas shpatullave të portierit Bravo. Pas golit të avantazhit për brazilianët gjithçka është bërë më e thjeshtë, me një Kili, i cili ka lënë shumë hapësira mbrapa, pasi ishte në kërkim të golit të barazimit. Dhe pikërisht kështu ka ardhur edhe goli i dytë, i cili mban firmën e golashënuesit më të mirë të Brazilit, Luis Fabiano. Kili vazhdon të luajë shumë mirë dhe të kërkojë golin i cili do të rihapte ndeshje, por Brazili mbrohet shumë mirë prapa dhe ka qenë shumë i vështirë për tu çarë mbrapa, ku thuajse rreshtohej më shumë se gjysma e skuadrës. Brazilianët janë faktikisht të vendosur shumë mirë dhe bëjnë një lojë shumë të qetë edhe për faktin se valorizohen nga avantazhi 2-0. Kaka provon në disa raste të japë disa asiste, për golin e tretë, por mbrojtja e Kilit arrin ta bllokojë fantazistin e Realit të Madridit. Gjithsesi kjo lojë i shkon për shtat Brazilit i cili nuk nxitohet dhe mundohet të shfrytëzojë mundësitë që i jepen për të kundërsulmuar. Bielsa ka hedhur në fushë "el loco"-n (i çmenduri), dhe i qëndron besnik pseudonimit duke i dhënë Kilit më shumë forcë për të sulmuar: Një tjetër lojtar që hyn në fushë është Valdivia, i cili nuk është shumë deciziv, pasi ka bërë vetëm një gjuajtje, që i përket pikërisht minutës së 60-të të ndeshjes, vetëm pesë minuta pasi Brazili kishte shënuar edhe golin e tretë, duke i hequr optimizmin skuadrës kiliane. Ai që realizonte ishte ndëshkuesi historik i Kilit, Robinjo, i cili sapo kishte marrë një asist nga Ramirez, të cilit Dunga i kishte dhënë “ok” për të avancuar. Kili është përpjekur me të gjitha forcat për të realizuar të paktën një gol, i cili do të ishte edhe goli i nderit në këtë sfidë, po një gjë e tillë ka qenë e pamundur, pasi mbrojtja braziliane ka qenë jashtëzakonisht e vendosur mirë dhe në asnjë moment nuk u ka lejuar asnjë hapësirë sulmuesve të shpejtë të Kilit. Megjithatë, deri në minutën e fundit ata nuk janë tërhequr nga besimi i tyre për të shënuar një gol nderi, gjë që e ka bërë këtë sfidë akoma e dhe më interesante. Gjithsesi, koha e rregullt nuk u ka mjaftuar dhe humbja 3-0 ka qenë verdikti final i kësaj ndeshjeje: Brazili do të luajë një çerekfinale ndaj Holandës, ndërsa Kili i thotë lamtumirë Botërorit me kokën lart.