Me vogëlushë dhe globale, kjo është Gjermania e re
Gjermania është gjithmonë protagoniste në Kupën e Botës, pavarësisht faktit se paraqitet me një skuadër të re në moshë dhe multietnike. Joakim Lëv rindërtoi përfaqësuesen për Afrikën e Jugut 2010, e megjithatë arrin të kualifikohet mes tetë më të mirave në botë, duke dërguar në shtëpi Anglinë pretendente. Përpara turneut nuk munguan debatet për dy pika të nxehta: mosha e vogël mesatare dhe përkatësia etnike e lojtarëve. Mesatarja e njëzetetre lojtarëve të grumbulluar është 25 vjeç. Në fakt, ekipi u ndërtua kryesisht nga futbollistët që vitin e kaluar fituan Europianin për Under-21, pikërisht përballë Anglisë. Pavarësisht rrezikut se mund të dështonte si Franca apo Italia, Lëv bëri ndryshime rrënjësore në Gjermaninë që në vitin 2006 arriti deri në gjysmëfinale (në atë periudhë ishte asistent i Klinsman). Ndërkohë, revolucioni i dytë lidhet me origjinën e futbollistëve, duke pasqyruar ndryshimet e shoqërisë. Disa vjet më parë, kur me Kombëtaren u thirr afrikani i natyralizuar, Patrik Ouomojela, partia e ekstremit të djathtë, NPD nxori parullën: “E bardha: nuk është vetëm ngjyra e fanellës gjermane”. Shumë gjëra kanë ndryshuar, madje tashmë turku ëzil është shndërruar në hero kombëtar. Tekniku Lëv grumbulloi plot 11 lojtarë me origjinë jo gjermane, por në fushë ata nuk shfaqin asnjë ndryshim: punojnë shumë dhe tregojnë disiplinë e përkushtim.
#