E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënimi i kreut të bankës “pa autor”, dosja në polici

 

Trazhgim Sokolaj

Autorët e kërcënimit dhe gjobëvënies ndaj drejtorit të bankës UBA në Tiranë kanë përdorur dokumente false për regjistrimin e numrave telefonikë nga të cilët kanë dërguar mesazhet e shantazhit. Verifikimet e policisë dhe Prokurorisë për pronarin e numrave telefonikë nga të cilët kanë mbërritur mesazhet kërcënuese arritën në përfundimin se identiteti i përdorur ka qenë i rremë. Sipas burimeve të policisë, autorët e gjobëvënies kanë përdorur dokumente false në momentin e hapjes së numrit kur pranë kompanisë përkatëse është paraqitur certifikata e përdoruesit për regjistrim. Një fakt i tillë duket se ka çorientuar hetimin, pasi nga të dhënat e tjera të mbledhura në rrugë operative dhe nga dëshmitarët, identifikimi i personave që kërkuan 100 mijë euro ka qenë i pamundur. Kërcënimi i drejtorit të bankës UBA u denoncua në polici javën që shkoi ku shtetasi egjiptian Ehad Shukri Saad, 43 vjeç, me qëndrim prej 14 vitesh në Tiranë, pretendoi se persona të panjohur kishin dërguar mesazhe në numrin e gruas së tij. Ata kishin pohuar se në rast se bankieri nuk dorëzonte 100 mijë euro sipas kërkesës së gjobëvënësve, jeta e vajzës dhe familjes së tij ishte në rrezik. Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda filluan menjëherë hetimet për këtë çështje, duke marrë në pyetje bankierin nga Kairo dhe të shoqen e tij. Ata dhanë sqarimet e tyre ndërsa më pas policia shoqëroi rreth 20 persona të njohur të së dëmtuarve që posedonin numrat telefonikë të familjes nga Egjipti. Të shoqëruarit u pyetën nëse ndonjë person i dyshimtë u kishte kërkuar numrat e bashkëshortëve egjiptianë ndërsa ky verifikim doli pa rezultat. Dosja ka mbetur “pa autor” për shkak të mungesës së të dhënave mbi identitetin e gjobëvënësve ndërsa në zbatim të Kodit të Procedurës Penale, mësohet se Prokuroria do të pezullojë hetimet për ta kaluar dosjen “për zbulim autori” në polici derisa të gjenden provat e nevojshme për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes. Organi i akuzës mësohet se ka përcaktuar detyra të qarta që duhet të përmbushen nga policia si dhe persona konkretë, që duhen ndjekur me qëllim zbulimin e provave dhe informacioneve për kapjen e gjobëvënësve të 43-vjeçarit nga Egjipti, familja e të cilit u mor në mbrojtje nga policia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›