FIFA e UEFA, në MTKRS për nismat ligjore
TIRANE- Përfaqësuesit e FIFA-s e UEFA-s Marsel Benz e Eva Paskuer, kanë patur sot paradite një takim të rëndësishëm në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ku në qendër të diskutimeve kanë qenë disa iniciativa të reja ligjore. Në fakt, prej kohësh dy institucionet kryesore të futbollit botëror kërkojnë hartimin e një ligji që një përqindje e xhiros së kompanive të basteve t’i shkojë futbollit, ndërkohë që një tjetër çështje e diskutuar është ajo e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, që kërkohet t’i jepet FSHF-së nën administrim. FIFA e UEFA kërkojnë që kompanitë e basteve të japin një përqindje për futbollin shqiptar, pasi ato përfitojnë pikërisht nga ndeshjet e organizuara prej tyre. Një tjetër temë e diskutuar ka qenë riorganizimi i klubeve shqiptare, që ende nuk kanë një status të qartë, por edhe futja e futbollit në shkolla. Zëvendës ministri Bajaziti ka shprehur gatishmërinë e MTKRS-së për të gjitha këto nisma, ndërsa shumë shpejt pritet një takim tjetër.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)