E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Kosova bashkëpunon vetëm si e barabartë

PRISHTINë- Kosova me pavarësinë ka arritur të bëhet faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon, tha presidenti i Republikës, Fatimir Sejdiu, gjatë një takimi që pati sot për ambasadorët e shteteve anëtare të Këshillit të Atlantikut Verior në Bruksel.
Në takim nuk kanë qenë të pranishëm përfaqësuesit e tre shteteve anëtare që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, përkatësisht të Spanjës, Sllovakisë dhe Rumanisë.

Presidenti Sejdiu tha se “Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur nga 65 vende demokratike anekënd globit. Gjatë këtyre dy viteve të pavarësisë, Kosova ka arritur t’i ndërtojë institucionet e saj demokratike: Kushtetutën dhe Ligjet, Gjykatën Kushtetuese, Agjencinë e Inteligjencës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe të gjitha i ka bërë në përputhshmëri të plotë me Pakon e Ahtisarit me të drejta të garantuara për komunitetet pakicë”.
“Me këtë, Kosova ka arritur t’i hedhë poshtë gjithë prognozat e këqija që dolën para pavarësimit të vendit, ka arritur të mbajë stabilitetin e përgjithshëm në vend dhe të bëhet faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon”, theksoi Presidenti Sejdiu, i cituar në një njoftim të sapodhënë nga zyra e tij.

I pyetur rreth bashkëpunimit rajonal dhe pranisë së Prishtinës në takimet rajonale, Sejdiu ka përsëritur gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim.

“Kosova është e gatshme të marrë pjesë në të gjitha takimet rajonale, ku trajtohet në mënyrë të barabartë me vendet e tjera. Kjo vlen dhe për takimin që do të mbahet në fundjavë në Slloveni” deklaroi në Bruksel presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›