E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues

Nga Express më 01 prill 2011 në ora 19:06

Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një komunikate për media ka vlerësuar se çfarëdo shpjegimi apo interpretimi i cili thotë se deputetët duhet të qëndrojnë në sallë gjatë një votimi, e aq më tepër kur lëshimi i sallës është një veprim i qartë politik me arsyetime të qarta politike e jo një neglizhencë, është në kundërshtim me formulimin e nenit 70 të Kushtetutës së Kosovës dhe frymën e këtij neni.

Derisa Qeveria e Kosovës kishte dërguar një pyetësor në Gjykatën Kushtetuese për të kërkuar mendimin e saj se a kanë të drejtë deputetët ta lëshojnë sallën e Kuvendit gjatë votimit për president, Lëvizja Vetëvendosje ka kujtuar Nenin 70 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës për mandatin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku thuhet se “Deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues”.

Vetëvendosje vlerëson se çfarëdo shpjegimi apo interpretimi i cili thotë se deputetët duhet të qëndrojnë në sallë gjatë një votimi, e aq më tepër kur lëshimi i sallës është një veprim i qartë politik me arsyetime të qarta politike e jo një neglizhencë, janë në kundërshtim me formulimin e nenit 70 dhe frymën e këtij neni.

“Posaçërisht është brengosës fakti që Qeveria e Kosovës duke e dërguar një pyetësor në lidhje me mandatin e deputetëve, ka dëshmuar se qeveria në krye me Hashim Thaçin ka përgatitur skenare anti-ligjore dhe anti-kushtetuese për të kontrabanduar ligjet dhe politikat të cilat bien ndesh me vullnetin dhe interesat e popullit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Për më shumë se kaq, Vetëvendosje konsideron se kjo qeveri po dëshmon se Kuvendin dhe deputetët i sheh në funksion të qeverisë dhe individëve të saj e jo si dy pushtete të ndara sipas parimeve bazë të demokracisë.

“Në momentin kur këto skenare të parapërgatitura nuk ju shkojnë sipas planit, qeveria nën drejtimin e Thaçit nuk heziton të instrumentalizojnë çfarëdo institucioni të Republikës së Kosovës për t’i arritur qëllimet e veta të mbetjes në pushtet”.

Mirëpo, Vetëvendosje thotë se edhe kësaj radhe, veprime të tilla arbitrare dhe kundër-demokratike vetëm sa e shpalosin fytyrën e vërtetë me prirje totalitariste të strukturave që e mbajnë pushtetin në Kosovë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›