E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA konfirmon korrupsionin ndaj ish-drejtuesit

Ish-presidenti i FIFA-s, Zhao Avelanzh dhe Rikardo Teikseira, që ka drejtuar për një mandat federatën e brazilianit, kanë përfituar miliona euro në skandalin e përqindjeve për të drejtën e transmetimeve televizive të Kupës së Botës.

Lajmi është konfirmuar nga FIFA, që vendosi të publikojë dosjen e gjykatës zvicerane, sipas të cilës figuron se Teikseira ka përfituar rreth 10 milionë e gjysmë euro (në atë periudhë 12.74 milionë franga zvicerane) nga viti 1992 deri më 1997, në formë pagesash nga Kupa e Botës nga partneri i marketingut, ISL.

Agjencia, zyrat qëndrore të së cilës ishin në Zvicër falimentoi në vitin 2001, duke bërë që drejtësia e këtij vendi të niste hetimet për veprime të jashtëligjshme, të cilat zbuluan praktikën rutinë të pagesase të zyrtarëve të lartë të futbollit për të përfituar nga influenca e tyre. Kjo lidhet kryesisht me favorizimin për të “ekskluzivitetin e të drejtës së transmetimit të Kupës së Botës”.

Dokumenti me 41 faqe tregon se Avelanzh ka përfituar një pagesë me vlerë 1.5 milionë franga në vitin 1997, një vit përpara se ai të humbiste zgjedhjet për kreun e FIFA-s përballë Sep Blater.

Njeriu që drejtoi për 24 vjet me radhë FIFA-n dhe president honorifik, tashmë në moshën 96-vjeçare dhe Teikseira, i cili ishte ish-dhëndri i tij mendohet se kanë përfituar në total nga rreth 18 milionë euro nga viti 1992 deri më 2000-in.

Blater, i cili ka qenë sekretar i përgjithshëm i Avelanzh për 17 vjet ka kërkuar ta publikojë dosjen e ISL-së që prej tetorit, ndërsa gjatë gjithë këtyre viteve FIFA ka mohuar lajmet se aty konfirmoheshin skandalet. Nga ana e tij, Sep Blater është sulmuar për skandalin e ISL-së gjatë presidencës 14-vjeçare, edhe pse nuk kanë ekzistuar asnjëherë prova për përfshirjen e 76-vjeçarit në skandalin e pagesave.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›