Kancelara braktis Tour de France

Fabian Kançelara ka braktisur “Tour de France” për t’i qëndruar pranë bashkëshortes shtatzanë. Çiklisti zviceran ishte një prej pretendentëve për të triumfuar në “Grande Bukle”, madje ai ka mbajtur edhe bluzën e verdhë në shtatë etapat e para, pasi fitoi prologun me shtatë sekonda diferencë nga britaniku Bredli Uixhins.
“Vendimi për t’u kthyer në shtëpi ishte më i vështirë nga sa mund të mendohet. Atmosfera në skuadër ishte e jashtëzakonshme dhe ky fakt ma vështirësoi edhe më shumë largimin nga gara”, deklaroi çiklisti.
31-vjeçari Kançelara fitoi garën e kronometrit në Olimpiadën e vitit 2008 në Pekin dhe do të garojë në “Londër 2012” për të mbrojtur titullin.
“Nuk jam thjesht një sportist, por jam gjithashtu edhe një bashkëshort dhe një prind që po pret fëmijën”, shtoi çiklisti i skuadrës “RadioShack-Nissan”. “Është dëshira ime që ti ndodhem pranë bashkëshortes time Stefani, kur të lindë fëmijën tonë të dytë. Ai trofe është më i rëndësishëm se çdo etapë e fituar apo medalje olimpike”, tha ai.
Katër herë kampioni i botës kishte rreth 39 minuta distancë nga kryesuesi i “Tour de France”, Uixhins, përpara etapës së 11, kur ai mori edhe vendimin të largohej nga aktiviteti.