FIFA mban pezull Kosoven

Futbolli kosovar mbetet i izoluar të paktën deri në dhjetor. Pas hapjes së ditës jeshile dhe premtimit parimor se përfaqësueses dhe klubeve në Kosovë do t’u lejohej zhvillimi i miqësoreve ndërkombëtare, FIFA ende nuk po vendos se kur do të ndodhë kjo.
Kërkesat e vazhdueshme të Federatës Kosovare të Futbollit për të zhvilluar të paktën miqësore me përfaqësuese apo klube të tjera, thjesht po shëtiten nëpër qytete të ndryshme të botës nga ana e FIFA-s dhe UEFA-s. Dy organizmat më të lartë të futbollit kontinental dhe atij botëror po e anashkalojnë këtë çështje.
Në maj të vitit 2012, FIFA e aprovoi kërkesën e FFK-së, që fillimisht endej nga UEFA te FIFA dhe ansjelltas. Gjithçka ndryshoi pas presionit të Serbisë dhe qëndrimit kundër të kreut të UEFA-s, Michel Platini. Sepp Blatter bëri një hap mbrapa duke e “ngrirë” përkohësisht atë vendim, ndërsa FIFA lajmëroi se lejimi do të zyrtarizohej më 27 dhe 28 shtator, pasi Komiteti Ekzekutiv i këtij institucioni të përzgjedhte modalitetet sipas të cilave Kosova do të luante miqësore ndërkombëtare.
Por, as në mbledhjen dy-ditore, Ekzekutivi i instucionit që drejton futbollin botëror nuk i diskutoi modalitetet, duke lënë sërish pa zgjidhje çështjen e futbollit kosovar. Miratimi përfundimtar u shty për në mbledhjen e 14 dhjetorit në Tokyo të Japonisë.
Këtë Blatter ia konfirmoi kreut të Federatës së Kosovës, Fadil Vokrri, duke i kërkuar FFK-së që të mos shqetësohet aspak për vonesën, sepse në fund të këtij viti do të merret vendimi në favor të Kosovës. Presidenti i FIFA-s e arsyetoi shtyrjen me tre muaj të tjerë me faktin që institucionit të tij i nevojitet edhe pak kohë, për të përcaktuar modalitetet, konform të cilave Kosova do të lejohet të zhvillojë miqësore ndërkombëtare.