Trepça ’89 ruan kreun
Kjo pasi ekipi i Gani Sejdiut të premten në Mitrovicë e ka shënuar fitoren e radhës, duke e mposhtur Vëllaznimin me rezultat 1:0 – në kuadër të xhiros së shtatë të Superligës së Kosovës në futboll.
Me të filluar ndeshja, ‘Xehetarët’ kanë kaluar në epërsi prej 1:0 falë autogolit që e shënoi mbrojtësi i Vëllaznimit, Robert Gjeraj.
Përveç që shënoi autogol, Gjeraj në minutën e 70-të u ndëshkua edhe me karton të kuq, duke e lënë me një lojtar më pak ekipin e tij, i cili po bënte përpjekje për t’i barazuar shifrat.
Edhe vendasit u munduan ta shënonin edhe ndonjë gol tjetër, por nuk ia dolën, dhe kështu ndeshja përfundoi me rezultat minimal, 1:0.
Kjo ishte fitorja e pestë e ‘Xehetarëve’ në këtë stinor, krahas dy barazimeve dhe janë të vetmit pa humbje. Ata pozicionohen në krye të tabelës me 17 pikë, katër më shumë sesa Prishtina, që e ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Kurse, gjakovarët mbeten në kuotën e nëntë pikëve.