FIFA pezullon Shqipërinë
Qeveria e futbollit boteror, FIFA, pezulloi Shqipërinë për shkak të ndërhyrjeve politike të shtetit shqiptar në autonominë e Federatës Shqiptare të Futbollit, por dhe këmbënguljes së përsëritur të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve për të kryer auditimin në institucionin më të lartë të futbollit shqiptar, kontroll që u kundërshtua me forcë nga FIFA dhe UEFA. Ministri i Sporteve, Ylli Pango, firmosi pak kohë më parë Statutin e FSHF-së, por duke bërë disa ndryshime të cilat u konsideruan të papranueshme nga FIFA dhe UEFA. Marrëveshja e shumëkërkuar nga këto dy organizma midis qeverisë shqiptare dhe FSHF-së nuk u arrit asnjëherë, pasi Ministria e Sporteve nuk ka pranuar të njohë pavarësinë e FSHF-së. Kjo është hera e dytë brenda 15 viteve që Federata Shqiptare e Futbollit pezullohet nga aktivitetet ndërkombëtare. Pas këtij vendimi, nëse qeveria shqiptare nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i saj, atëherë Shqipëria nuk do të luajë asnjë ndeshje ndërkombëtare. Shqipëria ndodhet në grupin 1 eliminator në kampionatin botëror “Afrika 2010”, së bashku edhe me Suedinë, Portugalinë, Danimarkën, Hungarinë e Maltën. Edhe ekipet shqiptare nuk do të kenë asnjë mundësi të luajnë në kompeticionet ndërkombëtare si Liga e Kampioneve, Kupa UEFA apo Kupa Intertoto.
15 Mars 2008