Venger: “Liverpuli? Short sfidues”
Dash Frashëri
Arsenali do të përballet me Liverpulin në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve pas shortit të hedhur në Nion, Zvicër.
Arsenali, që eliminoi kampionin në fuqi të Europës, Milanin, në raundin e parë me nokaut dhe arriti në finalen e vitit 2006 të Ligës së Kampioneve, ka provuar një eksperiencë, të gjithën angleze, në sezonin 2003-2004, kur humbi me Çelsin. Liverpuli, kundërshtari i radhës së “Topçinjve”, i mundur vitin e kaluar nga Milani në finale, ka luajtur 6 herë në kompeticionin e Ligës së Kampioneve gjatë tre viteve të fundit. Roma, që eliminoi Realin e Madridit në raundin e kaluar, do të përballet sërish në çerekfinale me Mançester Junaitid, kampion i Europës në vitin 1968 dhe 1999. Herën e fundit që dy ekipet u përballën sërish në çerekfinale, Mançesteri fitoi me rezultat të përgjithshëm 8-3, ku e paharrueshme mbetet fitorja 7-1 e “Djajve të kuq” në “Old Traford”.
Arsen Venger beson se çiftimi i Arsenalit me Liverpulin në çerefinalet e Ligës së Kampioneve është për skuadrat një sfidë interesante. Ndeshja e parë do të luhet në “Emirates Stadium”. Duke parë dhe renditjen aktuale në kampionatin anglez duket se Arsenali kryesues është edhe favoriti për të progresuar në gjysmëfinale, por Venger tha se “Redsat” janë specialë në Europë. “Është një short interesant dhe shumë sfidues”, - tha francezi. “Liverpuli është një kundërshtar i madh dhe ne do të luajmë kundër tyre tri herë brenda një jave dhe ju nuk e dini në këtë moment se sa do të përfundojnë ato. E vetmja gjë që dimë është se kemi përballë Liverpulin. Ata rriten shumë në Ligën e Kampioneve. Ne e dimë se mund t’i mundim ata në rast se do të përqendrohemi. Nëse dëshirojmë të shkojmë në finale dhe ta fitojmë atë, ne duhet të eliminojmë Liverpulin”.
Trajneri i Liverpulit, Rafa Benitez, tha: “Ne kemi një skuadër të mirë dhe jemi gati të luftojmë kundër tyre. Unë kam shumë besim të skuadra ime dhe ne do të fitojmë çdo ndeshje. Kemi një shpirt shumë të mirë ekipi”.
Box
Rruga drejt finales
Përveç hedhjes së shortit të çerekfinaleve në “House of European Football” u përcaktua edhe rruga që do të ndjekin tetë ekipet drejt finales. Tashmë skuadrat fituese të katër çifteve i dinë kundërshtarët me të cilët do të përballen në gjysmëfinale, takimet e të cilave do të luhen më 22-23 dhe 29-30 prill 2008. Nëse Çelsi do të kualifikohet, do të ndeshet me fituesin e çiftit Arsenal-Liverpul në një tjetër betejë të tërë angleze, ndërkohë që Shalke ose Barcelona do të pëballen me fituesen e çiftit Roma-Mançester. Finalja do të zhvillohet në stadiumin “Luzhniki”, në Moskë, më 21 maj (ora 20:45).
ÇEREKFINALET
1.Arsenal- Liverpul
2.Roma- Mançester Junaitid
3.Shalke 04- Barcelona
4.Fenerbahçe-Çelsi
NDESHJET E PARA:
1-2 prill 2008
Ndeshjet e kthimit
8-9 prill 2008
GJYSMËFINALET
1.Fituesi 1-Fituesi 4
2.Fituesi 3-Fituesi 2
NDESHJET E PARA:
22-23 prill 2008
Ndeshjet e kthimit
29-30 prill 2008
FINALJA
Fituesi 2-Fituesi 1
Stadiumi “Luzhniki”, Moskë
21 maj 2008
LIGA E KAMPIONEVE
SKUADRAT
LIVERPULI
Shteti: Angli
Fitues: 5 herë
1977, 1978, 1981,
1984, 2005
Ylli i skuadrës:
Stiven Xherard
Ndeshje në Europë
Total : 264
F:149, B:57, H:58
MANÇESTER JUNAITID
Shteti: Angli
Fitues: 2 herë
1968, 1999
Ylli i skuadrës:
Kristiano Ronaldo
Ndeshje në Europë
Total : 244
F:129, B:63 H:52
BARCELONA
Shteti: Spanjë
Fitues: 2 herë
1992, 2006
Ylli i skuadrës:
Lionel Mesi
Ndeshje në Europë
Total : 352
F:194, B:79, H:79
ÇELSI
Shteti: Angli
Fitues: Asnjëherë
Ylli i skuadrës:
Didier Drogba
Ndeshje në Europë
Total : 118
F:64, B:31, H:23
ROMA
Shteti: Itali
Fitues: Asnjëherë
Ylli i skuadrës:
Françesko Toti
Ndeshje në Europë
Total : 180
F:85, B:41, H:54
ARSENALI
Shteti: Angli
Fitues: Asnjëherë
Ylli i skuadrës:
Sesk Fabregas
Ndeshje në Europë
Total :165
F:80, B:44, H:41
SHALKE 04
Shteti: Gjermani
Fitues: Asnjëherë
Ylli i skuadrës:
Herbert Nojer
Ndeshje në Europë
Total : 113
F:60, B:24, H:29
FENERBAHÇE
Shteti: Turqi
Fitues: Asnjëherë
Ylli i skuadrës:
Roberto Karlos
Ndeshje në Europë
Total : 140
F:46, B:22 H:72
Slomka: “Barcelona, e mbushur me superyje”
Trajneri i Shalke 04, Mirko Slomka, skuadra e të cilit do të përballet me Barcelonën në çerekfinale, e konsideroi si “një super short për klubin dhe ekipin”. Shalke do të bëjë debutimin për herë të parë në erën moderne të Ligës së Kampioneve, pasi më parë ka arritur në çerekfinale në Kupën e Kampioneve të Europës në sezonin 1958-1959, kur u eliminua nga një tjetër ekip spanjoll, Atletiko e Madridit. Shalke 04 do të përballet me Barcelonën, fituese e Ligës së Kampioneve në vitet 1992 dhe 2006.
Superyje
“Barcelona është një super short për klubin dhe për skuadrën”, - tha trajneri, skuadra e të cilit do të presë në shtëpi Barcelonën, më 1 prill, përpara se të luajë ndeshjen e kthimit në “Kamp Nou”, tetë ditë më pas. “Natyrisht, është një ndeshje e shkëlqyer për fansat tanë, pasi çdo futbollist i Barcelonës është në superyll. Por me tifozët pas nesh, ne jemi në gjendje të luajmë një ndeshje shumë të mirë dhe të marrim një rezultat të mirë përpara ndeshjes së kthimit në Barcelonë”. Shalke ka luajtur 14 herë kundër ekipeve spanjolle, duke fituar pesë, barazuar katër dhe humbur pesë. Barcelona është ndeshur 43 herë kundër ekipeve gjermane duke arritur 23 fitore, nëntë barazime dhe njëmbëdhjetë humbje. Drejtori sportiv i Barcelonës, Aitor “Txiki” Beguirishtajn, mendon se skuadra e tij nuk duhet të ndikohet nga statistikat. “Ne duhet të jemi të kujdesshëm nga qëndrimi i lojtarëve në këtë çift”, - tha ai. “Sidoqoftë, Shalke ishte një nga ato skuadra që ne do të dëshironim të ndesheshim në këtë fazë, por e rëndësishme për ne është që do të luajmë ndeshjen e kthimit në shtëpi dhe kjo është realisht pozitive për ne. Ne duhet të jemi seriozë pasi vetëm ekipet e mëdha arrijnë në çerekfinale”.
Pizaro: “Koha për hakmarrje”
Mesfushori i Romës, Devid Pizarro, tha se skuadra e tij është e gatshme për “hakmarrje” për atë humbje poshtëruese 7-1 nga Mançester Junaitid, kur të dyja skuadrat u takuan në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve sezonin e kaluar.
Hakmarrje
“Ne ishim ndoshta të destinuar të takonim sërish Mançester Junatid dhe jemi gati të hakmerremi”, - tha 28-vjeçari. “Shumë nga ne e parashikonim këtë. Junaitid është duke luajtur realisht mirë, por dhe ne kemi qenë të qëndrueshëm dhe kemi bërë një sezon të mirë”. Dy skuadrat janë takuar edhe në fazën e grupeve. Mançester fitoi 1-0 në “Old Traford” dhe barazoi 1-1 në “Olimpiko”.
Çift i vështirë
Pas eliminimit të Realit të Madridit në raundin e parë me nokaut, braziliani është i bindur se Roma nuk do të vuajë të njëjtin fat. “Do të jetë një tjetër ndeshje e vështirë. Ndeshja jonë e fundit në ‘Old Traford’ ishte shumë e keqe, por tani jemi të ndryshëm, kemi më shumë eksperiencë. Unë dëgjova se pesë apo gjashtë lojtarë të skuadrës sonë në të vërtetë dëshironin të përballeshin me Mançesterin për t’u hakmarrë. Ne duhet të bëjmë dy ndeshje të mëdha dhe të arrijmë në gjysmëfinale. Ne fituam në Madrid dhe kjo na jep më shumë besim. Ne e dimë se mund të mundim këdo”.
Short intrigues
Kur në short ishin katër skuadra angleze, trajneri i Mançester Junaitid, Sër Aleks Ferguson, mbeti i befasuar duke parë që të çiftohej me Romën sërish. “Është e pabesueshme”, - tha Sër Aleks për manutd.de. “Unë kisha një parandjenjë të fuqishme se do të përballesha me një ekip anglez. Është argëtuese të mendosh se do të përballemi me Romën gjashtë herë brenda një viti. Është një çift shumë intrigues pasi ne dimë shumë për Romën, por dhe ata dinë shumë për ne. Unë kam parandjenjën se do të jetë një çift i madh europian”, - shtoi ai. Ndeshja e parë do të luhet të martën, më 1 prill, në Romë, ndërsa ajo e kthimit në “Old Traford” tetë ditë më pas.
Boral: “Çelsi? Nuk kemi frikë”
Fenerbahçe i befasoi të gjithë me arritjen në çerekfinale të Ligës së Kampioneve, por futbollisti i skuadrës turke, Ugyr Boral, tha se ndihej optimist edhe pse përballë do të ketë Çelsin.
“Nuk do të dështojmë”- Kampionia e Turqisë dhe klubi londinez nuk janë takuar kurrë në një kompeticion europian, edhe pse të dyja skuadrat kanë lojtarë që kanë luajtur me të dy ekipet: Nikolas Anelka dhe Mateja Kezhman kanë veshur fanellat si të Fenerbahçes ashtu dhe të Çelsit. 25-vjeçari Ugyr Boral tha: “Përpara shortit të Nionit, unë kisha një parandjenjë se ne do të luanim kundër Çelsit. Unë mendoj se ekipet e tjera angleze janë më të forta se Çelsi. Ne do të bëjmë më të mirën tonë për të mundur Çelsin dhe të kualifikohemi në gjysmëfinale. Ne jemi të talentuar, të fuqishëm dhe fit, kështu që nuk ka asnjë arsye të dështojmë”.
“Jo e lehtë”- Çelsi fitoi bindshëm në udhëtimin e tij të fundit në Turqi, kur mposhti 5-0 Gallatasarajin në vitin 1999, por menaxheri Avram Grant tregohet i kujdesshëm: “Asnjë ndeshje në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve nuk është e lehtë. Ky ekip luajti shumë mirë në fazën e grupeve, mundi Interin. Ata mundën të gjitha ekipet në shtëpi dhe luajtën shumë mirë në ndeshjen jashtë kundër Seviljes, atje ku Arsenali kishte humbur. Ne nuk kemi arritur kurrë finalen e Ligës së Kampioneve, por qëllimi ynë është i qartë: ta bëjmë atë sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Kupa UEFA
Çerekfinalet
Bajer Leverkuzen-Zenit
Rejnxhërs-Sporting
Fiorentina- PSV Eindhoven
Bajern-Getafe
Grushti, 6 muaj për Devollin
Mesfushori i Partizanit, Bledar Devolli, u ndëshkua me gjashtë muaj pezullim nga Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Futbollisti i “demave” goditi me kokë dhe me grushte trajnerin e Dinamos, Iir Daja, pas përfundimit të ndeshjes së Kupës së Shqipërisë, Partizani-Dinamo (0-0). Trajneri Daja, edhe pse lojtari kërkoi falje publike përmes shtypit, rikonfirmoi se do ta ndiqte çështjen penalisht. Presidenti i Partizanit, Albert Xhani, gjatë një deklarimi për mediat e konsideroi të ekzagjeruar masën e ndëshkimit nga Komisioni i Disiplinës. Futbollisti i Dinamos, Bekim Kuli, shkaktari kryesor i rrëmujës, u ndëshkua me katër javë pezullim dhe 100 mijë lekë gjobë.
Superliga, Java 24
Besëlidhja-Dinamo Pashaj
Teuta-Partizani Meta
Kastrioti-Vllaznia Abeshi
Flamurtari-Besa Jemini
Shkumbini-Tirana Guçe
Elbasani-Skënderbeu Latifi
15 Mars 2008