Kosovë, UNMIK-u vendos rendin në Veri. Ryker: “Serbët kaluan vijën e kuqe”
UNMIK-u ka rikthyer rendin në gjykatat në Mitrovicë. Lajmi u bë i ditur nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, pas takimit me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jap De Hop Shefer. Rreth 150 protestues serbë kanë hyrë mëngjesin e djeshëm në mënyrë të dhunshme në ndërtesën e Gjykatës Komunale dhe të qarkut në Mitrovicë. Protestuesit kanë përdorur 6 ambulanca për të shembur dyert e oborrit të ndërtesës dhe kanë ngritur flamurin serb. Sipas agjencive të lajmeve qëllimi i protestuesve ishte marrja nën kontroll e institucioneve lokale të administruara nga Kombet e Bashkuara që nga viti 1999. Sulmi i djeshëm ndaj Gjykatës së Qarkut është dënuar ashpër nga shefi i UNMIK-ut Joakim Ryker, i cili e ka konsideruar këtë akt tërësisht të papranueshëm. Ai u shpreh se serbët këtë radhë kaluan vijën e kuqe të UNMIK-ut. “Një bandë e madhe ka shfrytëzuar forcën kundër Policisë së UNMIK-ut për të hyrë në ndërtesë. Ata të cilët i janë kthyer dhunës në Mitrovicën e Veriut, e kanë kaluar vijën e kuqe të UNMIK-ut”,-deklaroi Ryker. Shefi i UNMIK-ut ka udhëzuar policinë për rivendosjen e rendit dhe ligjit në Veri për të siguruar kontrollin e Kombeve të Bashkuara mbi gjykatën.
Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës në Mitrovicë, Besim Hoti, deklaroi se protestuesit janë përplasur fillimisht me njësitet speciale të policisë, por në vijën e parë të turmës, sipas Hotit, protestuesit kanë vënë kryesisht gratë. Ekspertët e sigurisë dhe analistët janë shprehur në lidhje me ngjarjen se serbët në Veriun e Mitrovicës po tentojnë të mos lejojnë asnjë lloj pushteti civil në këtë pjesë dhe hyrja me dhunë në gjykatë është tentim i Serbisë që shtrijë sovranitetin në territorin e Kosovës. Megjithatë sulmi i ndërtesës nga serbët konsiderohet edhe pasojë e mospërcaktimit të kompetencave mbi sigurinë mes UNMIK-ut, Eulex-it dhe autoriteteve kosovare.
15 Mars 2008