Ramadan Sokoli, muzikologu i parë shqiptar i patejkalueshëm
Prof. dr. Rexhep MUNISHI*
Për njerëzit që kanë dhënë kontribut të veçantë dhe rezultate të shënuara në fusha të caktuara shkencore nuk mjaftohet së shkruari. Punët e tyre bëhen objekt hulumtimi e studimi në forma të ndryshme. Një personalitet i rendit të parë të shkencave albanologjike pa dyshim ishte Ramadan Sokoli. Nga vitet gjashtëdhjetë (në kohën kur isha student i Akademisë së Muzikës në Beograd) isha njohur dhe i kisha konsultuar dy vepra të Ramadan Sokolit: “Folklori muzikor shqiptar” dhe “Veglat muzikore të popullit shqiptar”, më pas gradualisht vazhdova të njihesha edhe me tërë veprimtarinë tjetër të tij. Por takimi ynë i parë fizik ndodhi në Tiranë, në shtator të vitit 1995, në banesën e tij të “famshme” “bodrumin-muze”. Unë kisha shkuar si anëtar i Jurisë së Festivalit Folklorik Kombëtar që atë vit u mbajt në Berat. Nga ai takim, lidhjet tona u bënë shumë të afërta si profesionale e po ashtu edhe miqësore. Biografia e Ramadan Sokolit është portretizuar (e bartur nga shkruesi në shkrues) me dhjetëra herë në shkrime të veçanta, prezantime dhe së fundi u bë edhe një monografi e veçantë kushtuar jetës dhe veprës së tij. Prandaj, me pak fjalë, mund të themi se pati një jetë jo shumë favorizuese, jo shumë të rehatshme, por mbi ato rrethana që iu krijuan bëri punë të mëdha. Me një fjalë, një njeri i pazakonshëm për nga durimi dhe përgjegjësia për punën që e ka bërë dhe që e bëri deri në çastet e fundit të jetës. Me këtë rast bëjmë një njohuri të shkurtër të biografisë së R. Sokolit. U lind më 14 qershor 1920 në Shkodër. I takon një familjeje të pasur po gjithnjë patriotike nga brezi në brez. Është nip i gjeneralit legjendar të Lidhjes së Prizrenit, Hodo Sokolit. Familja e tij sikur ishte përbetuar që të mos i rrinte asnjë regjimi të qetë. Në moshë ende të njomë nisi të luajë në instrumente muzikore, kurse nga mosha 16-17-vjeçare edhe të kompozojë këngë të frymës popullore. Që në rininë e hershme të Ramadanit, familjen e tij e internojnë në Itali dhe atje nga viti 1940-1943 në Firence studion për kompozicion e flaut. Regjimi socialist aspak nuk vjen i mirë për familjen Sokoli. Ia burgosin vëllezërit, por e burgosin edhe vetë Ramadanin në vitet 1946-1950. Gjatë qëndrimit në burg kishte fituar përvojë të madhe jetësore. Aty kishte njohur njerëz të shtresave të ndryshme dhe kishte marrë edhe njohuri për kulturën popullore. Pas daljes nga burgu, jeta e Ramadan Sokolit në Shqipërinë e re socialiste do të jetë e kufizuar dhe në ato rrethana që do t’i krijohen me tërë qenien e tij shpirtërore e fizike iu përkushtua punës e vetëm punës. Njohuritë që i kishte marrë për muzikë në Itali, si dhe interesimi shumë i madh për të mësuar edhe më shumë nga të gjitha fushat e muzikës dhe të dijes në përgjithësi, e orientojnë në rrugën e marrjes me hulumtime e studime të trashëgimisë etnokulturore. Në vitin 1952 nga Shkodra vjen në Tiranë, ku do ta kalojë jetën e tij të bujshme. Në dy-tre vende ku punësohet e pushojnë nga puna pa arsyetime konkrete. Më në fund bëhet mësimdhënës në liceun artistik “Jordan Misja” ku intensifikohen interesimi dhe angazhimi për tërë pasurinë etnomuzikore shqiptare. Më pas jep mësim edhe në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve), duke ligjëruar disa lëndë e në veçanti folklorin muzikor dhe flautin. Një jetë e kaluar në një sistem totalitar, ku e kishte të kufizuar çdo lëvizje, është për habi se si arrin që ky njeri të merret me tërë ato punë hulumtuese e studimore. Brenda këtyre pak rreshtave të biografisë së tij gjenden rreth një mijë njësi bibliografike, krijime muzikore, shkrime, studime, monografi, dhjetëra e dhjetëra pjesëmarrje në tribuna, sesione, kongrese shkencore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe nëpër qendra të ndryshme europiane. Që në fillim duhet të themi se R. Sokoli me punën e tij në fushën e shkencave muzikore, në veçanti në etnomuzikologji, ka vënë veten në radhën e emrave etnomuzikologë europianë që afirmuan vlerat e tyre nacionale etnomuzikore, siç ishin, bie fjala: Cjetko Rihtman nga Bosnja, Vinko Zhganec nga Kroacia, Stojan Gjugjeve bullgar, Zivko Firfov maqedonas, Zmaga Kumer në Slloveni ose Claudie Marcel du Bois, franceze, etj. Dhe tani jemi shumë të sigurt se për tërë botën intelektuale shqiptare dhe ata që kanë shfaqur interesime për kulturën dhe shkencat albanologjike emri i Ramadan Sokolit është bërë sinonim i arritjeve shkencore në fushën e studimeve muzikore shqiptare. Deri në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, si çdo gjë në Shqipëri, edhe puna e R. Sokolit po edhe vetë personaliteti i tij ishin nën hije me kufizime natyrash të ndryshme. Tani, pas 16-17 vitesh, që kur në revistën “Fjala” pata shkruar në disa vazhdime mbi veprimtarinë shkencore të R. Sokolit dhe po ato shkrime më pas u botuan në disa vazhdime në gazetën “Rilindja” që atëherë dilte në Tiranë, sikur ndiej një krenari që iniciova aktualizimin e personalitetit dhe të veprimtarisë së tij. Shpërthyen interesimet për të, nisën ta ftojnë në manifestime kulturore, të shkruajnë për të, po ajo që është më me rëndësi u intensifikua jashtëzakonisht veprimtaria e tij profesionale e shkencore. Pasuan shumë shkrime, libra, u trajtuan shumë tema, shumë probleme të kulturës sonë jo vetëm muzikore, por në përgjithësi albanologjike. Është shumë korrekte nga kolegët etnomuzikologë shqiptarë, të cilët në çfarëdo rasti nuk ngurrojnë ta shënojnë faktin se me R. Sokolin nis etnomuzikologjia shqiptare. Në vijim shkëpusim disa mendime të sinqerta të shprehura nga etnomuzikologë aktualë, pasardhës të tij. Për të, Vasil Tole, kompozitor e etnomuzikolog, shkruan: “Deri në botimet e para të prof. Sokolit rreth viteve ’50, etnomuzikologjia shqiptare nuk ekzistonte. Ndër gjithë opusin e tij krijues, punimet në folklorin muzikor e përkatësisht në etnomuzikologji zënë kryet e vendit, vepra të cilat janë ndër të tjera edhe punimet themeluese të etnomuzikologjisë shqiptare në përgjithësi. Në një lloj kuptimi, i gjithë kontributi etnomuzikologjik i prof. Sokolit është si një enciklopedi e mbartjes dhe e shpjegimit të fenomenit të folklorit muzikor shqiptar në kohë dhe hapësirë shumë të gjerë. Këtë e konstatojnë studiuesit, muziktarët, studentët dhe nxënësit e muzikës, për të cilët ai orientoi dhe futi në strukturën e shkollës qysh në vitet ‘ 50”. Ngjashëm shprehet edhe studiuesi e kompozitori i njohur shqiptar Sokol Shupo: “Ndërkaq, aktiviteti i R. Sokolit shtrihet në të gjithë spektrin e kërkimeve folklorike. Ai merr pjesë në ekspeditat folkloristike të veçanta dhe të përbashkëta me të huaj (ekspedita shqiptaro-gjermane në vitin 1957 dhe eskpedita shqiptaro-rumune në vitin 1958), boton një sasi shumë të madhe materialesh e studimesh folklorike (qindra artikuj dhe 16 libra - tani numri i librave është më i madh - vërejtje, R.M.) dhe aktivizohet intensivisht në jetën kulturore shqiptare, sidomos pas vitit 1982. Puna e tij ka patur mjaft jehonë edhe në botë dhe është vlerësuar shumë pozitivisht... Kontributi i R. Sokolit në zhvillimin e etnomuzikologjisë shqiptare është shumë i madh....sepse botimet e tij të shumta influencuan dukshëm në rritjen e sensibilitetit dhe të formimit të etnomuzikologëve të shkolluar vetëm në Shqipëri. Fjala është për botimet, (R. M.), të cilat ishin një lloj Bible për këtë profesion. Së treti, sepse në krijuesit shqiptarë njohja e sistemuar e lëndës folklorike shqiptare krijo premise reale për t’u shprehur me një gjuhë të pasur në element shqiptar. Ne këtu shtojmë se nuk është vetëm fakti i të parit që nisi etnomuzikologjinë ose lënda folklorike ose kontributi arsimor që këtë personalitet e bëjnë të shquar. Këto janë vetëm ndihmesa për të hapur një rrugë të karrierës së pasur të tij në fushën e studimeve të muzikës. Hulumtimet dhe studimet e tij në fushën e muzikës i shtriu gjerë e thellë në tërë kompleksitetin që përfshin muzika në jetën e njeriut. R. Sokoli për objekt studimi e bëri këngën, vallen dhe veglën muzikore me tërë spektrin që përfshijnë brendapërbrenda këto tre aktivitete të kulturës shpirtërore e materiale të njeriut në kohë e hapësirë. Të gjitha këto nuk i bëri shkel e shko dhe nuk i bëri sa për t’i bërë, por bëri punë shumë serioze të qëndrueshme e rezistuese për cilëndo kohë dhe çfarëdo “trendi” modern të studimeve shkencore. Që në fillimet e viteve ‘50 të shek. të kaluar zgjohet interesimi (i cili nuk pushon në asnjë çast deri sot) për ta njohur sa më afër e më mirë pasurinë etnomuzikore shqiptare. Lëndën që e siguron nis po ashtu herët ta bëjë objekt studimi. Në opusin e tij studimor nuk ka mbetur gjini, lloj e as mënyrë këndimi pa e hulumtuar e studiuar me shumë profesionalizëm. Me përkushtim shumë serioz ka bërë studimet për ninullat, për këngët e buta (këngë lirike të dashurisë që i këndojnë burrat), këngët epike, këngët humoristike, vajtimet, këngët përmajekrahu (malësorçe), këngët patriotike, këngët rituale e shumë e shumë të tjera. Është hulumtuesi e studiuesi i parë shqiptar që me kompetencë shkencore bën studimin e polifonisë shqiptare, ku përveç përkufizimeve hapësinore të kësaj mënyre këndimi argumentueshëm hyn në gjenezën e saj, në tipat dhe në analizën melopoetike të këtij këndimi të jashtëzakonshëm e të veçantë shqiptar. Pasurinë e veglave muzikore popullore shqiptare bota shqiptare, po edhe ajo e huaj, e njohu përmes studimeve të R. Sokolit. Në metodologji dhe duke i konsultuar organologët e njohur botërorë, siç ishin: Kurt Sachs, Andre Chaefner, Hornbostel e të tjerë. R. Sokoli arriti që organologjinë shqiptare ta ngrejë në nivelin e studimeve europiane. Ai i grupoi ato sipas kritereve organologjike profesionale, hyri në prejardhjen e tyre, kohëzgjatjen e praktikimit, shtrirjen në hapësirat shqiptare, ergologjinë, rolin dhe funksionin sociokulturor të secilës vegël veç e veç dhe në formacione. Krijoi një muze të vogël sa ishte profesor i lëndës së folklorit në Liceun Artistik. Shkroi librin e parë mbi veglat muzikore popullore, kurse të ripunuar e botuan bashkërisht me organologun Pirro Miso, libër i cili vitin që shkoi doli edhe në gjuhën italiane. Lëndën e muzikës vokale ose të të kënduarit studiuesi e vë në sistemin e analizës. Kësaj çështjeje Sokoli i qaset nga metodologjitë e etnomuzikologëve të tjerë europianë e në veçanti në modele të Bela Bartokut, Konstantin Brailout, Zoltan Kodali, Stojan Djudjev etj., natyrisht duke ofruar terminologji që korrespondojnë me gjuhën shqipe dhe duke i parë më funksionale e më adapte. Pra, për disa komponentë morfologjikë të këngëve popullore, R. Sokoli krijoi emërtime vetjake që kuptimësojnë elementin për të cilin bëhet fjalë. Tani kur studiuesi i veprës së Ramadan Sokolit sheh shtrirjen e tij në vlera të ndryshme të pasurisë së folklorit muzikor shqiptar, doemos duhet ta rendisë ndër studiues të suksesshëm të etnomuzikologjisë, etnoorganologjisë dhe etnokoreologjisë. Ramadan Sokoli me lehtësi i konstaton dukuritë, mënyrat e të kënduarit, vallet popullore, veglat muzikore, ua përcakton shtrirjen në hapësirat shqiptare, me argumente shkencore shtron çështjen e përkatësisë, ai vëren lidhjen e tyre me jetën kulturore të mjedisit ku ajo praktikohej dikur e sot. Në planin analitik, është studiuesi i parë dhe i patejkalueshëm që i vë bazat e përkufizimeve teorike të komponentëve morfologjikë për këngën, vallen ose melodinë instrumentale, që përcaktojnë karakteristikat e sistemit të tërësishëm muzikor shqiptar.
(*-Etnomuzikolog)
15 Mars 2008