Kriza në Maqedoni, mblidhen krerët e partive politike
Cërvenkovski: “Duhet të fokusohemi në çështjen kyçe, NATO-n”. Komisioni Europian: “Partitë në Maqedoni të vazhdojnë dialogun”
Pas largimit të Partisë Demokratike Shqiptare nga qeveria, Maqedonia është zhytur në një krizë të thellë politike, e cila rrezikon proceset euroatlantike. Për këtë arsye janë zhvilluar gjatë ditës së djeshme takime mes liderëve të katër partive me të mëdha në Maqedoni dhe një takim mes presidentit Branko Cërvenkovski dhe kryeministrit Nikolla Gruevski. Presidenti Cërvenkovski e ka cilësuar situatën në vend të patolerueshme në një kohë kur Maqedonia është disa ditë larg Samitit të NATO-s në Bukuresht ku pritet të marrë ftesën për anëtarësim. Ai ka bërë thirrje për tejkalim të gjendjes të krijuar në vend dhe ka theksuar se kriza nuk mund të kalohej me anë të zgjedhjeve të parakohshme të cilat vetëm do ta komplikonin më tej situatën.
“Dua t’u bëj thirrje të gjithë liderëve të partive politike kyçe të sillen me përgjegjësi, por edhe të evitojnë t'i hapin këto tema në opinion në këtë periudhë",-theksoi Cërvenkovski. Presidenti ka shprehur bindjen se Maqedoninë e presin vendime të vështira dhe përgjegjëse dhe për këtë duhen gjetur zgjidhje efikase për t’u fokusuar në çështjen kyçe që është Samiti i NATO-së dhe marrja e ftesës. Thirrje për vazhdimin e dialogut mes partive politike në Maqedoni është bërë dje edhe nga Komisioni Europian. “Ne besojmë se ky është moment kur të gjitha partitë duhet të lënë anash interesat partiake të punojnë për konsensus dhe të angazhohen për të vazhduar dialogun e reformave”, - ka deklaruar një zëdhënëse e Komisionit Europian. Kriza në vend erdhi si pasojë e largimit të Partisë Demokratike Shqiptare nga koalicioni qeverisës dhe deklaratës së përfaqësuesit e saj do të marrin pjesë në organin ekzekutiv vetëm teknikisht. Kryetari i kësaj partie, Menduh Thaçi, kërkoi zgjidhjen e disa kërkesave të shqiptarëve për të cilat tha se ishin kusht për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Kryetari PDSH-së megjithatë është shprehur se ky vendim nuk duhet parë si hap kundër interesave të Maqedonisë, por si mundësinë e vetme për zgjidhjen e kërkesave të shqiptarëve. “Besoj se të gjithë faktorët seriozë politikë do të punojnë për një zgjidhje. Unë do të jem i hapur që t’u trokas të gjithëve në derë. Nuk kam kurrfarë paragjykimesh që, mundësisht, prej kësaj situate të dalim bashkërisht. Kam shpresa të mëdha se kontribut të madh në këtë situatë do të japin aleatët tanë, SHBA-të dhe Bashkimi Europian”,-u shpreh Thaçi gjatë një intervistë.
15 Mars 2008