Rusët largohen nga Tirana, kërkojnë largimin e ambasadës shqiptare nga Moska
Thellohet përçarja mes Shqipërisë dhe BS-së. Priten marrëdhëniet diplomatike. Luftë mediatike mes dy vendeve. Shtohet konflikti mes Pekinit dhe Moskës
Seymour Topping
MOSKË – Burime shqiptare raportuan sot se Bashkimi Sovjetik ka tërhequr misionin e tij diplomatik nga Shqipëria dhe ka kërkuar mbylljen e ambasadës së Tiranës zyrtare në Moskë. Lëvizja thelloi ndarjen brenda bllokut komunist. Shqipëria është mbështetur nga Kina komuniste në ndarjen ideologjike me Bashkimin Sovjetik. Informacioni rreth lëvizjes ruse, e cila ka mbërritur e plotë nga burime shqiptare, tregon se Moska ka ndërprerë për një kohë të shkurtër marrëdhëniet diplomatike me qeverinë e Tiranës. Një zyrtar i ambasadës shqiptare këtu (në Moskë, - shën. red.) thotë se tërheqja ka nisur disa ditë më parë me nismën ruse. Ai po komentonte një njoftim të lajmëruar këtë mëngjes nga agjencia shtetërore telegrafike shqiptare, ATSH.
Tërhiqet ndihma tregtare
Agjencia qeveritare thotë se Bashkimi Sovjetik ka tërhequr stafin e ambasadës së tij dhe zyrën tregtare në Tiranë dhe ka kërkuar tërheqjen e stafit të ambasadës shqiptare në Moskë. “Kërkesat ruse vijnë në serinë e disa letrave zyrtare të dërguara për qeverinë shqiptare që nga data 25 nëntor dhe deri dje”, - njofton ATSH-ja. Moska nuk komentoi qëndrimin shqiptar dhe nuk dha asnjë të dhënë as radioja shtetërore ruse.
Megjithatë, TASS-i, agjencia shtetërore e lajmeve, publikoi mbrëmë në mënyrë shumë të përmbledhur padinë ideologjike të Partisë Komuniste Shqiptare, e cila akoma nuk është publikuar nga Moska. Padia ishte përmbledhur në një artikull të shkruar nga Fedor V. Konstantinov, i Akademisë së Shkencave, që merret me çështjet aktuale te “Kommunist”, një gazetar ky i çështjeve teorike në Komitetin Qendor të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.
Shenjat paralajmëruese
Përmbledhja nxirrte përfundimin se këtu ishte interpretuar si një paralajmërim i nënkuptuar për Kinën komuniste, e cila vazhdon të jetë kundra, duke dalë hapur palë me Shqipërinë. Pasi shpallte sërish doktrinën e bllokut komunist se “rreziku kryesor” te lëvizja është përfaqësuar nga stili jugosllav i revizionizmit, artikulli deklaronte: “Gjithashtu është e nevojshme të luftohet kundër dogmës, e cila mund të bëhet rreziku kryesor te disa parti. Për Partinë e Punës së Shqipërisë, dogmatizmi i udhëheqësve të saj në të vërtetë është bërë rreziku kryesor sot”. Në të kaluarën, Partia Komuniste ka përdorur termin “dogmatizëm” në denoncimin e ideologjisë së Pekinit dhe Tiranës.
Etiketimet e Moskës për t’i quajtur si “dogmatistë” ato vende komuniste që refuzojnë të pranojnë strategjinë e “bashkekzistencës paqësore” të kryetarit të Partisë Komuniste Nikita Hrushov, janë mënyra më e mirë për të arritur te komunizmi botëror. Në kongresin e fundit të Partisë Komuniste Sovjetike, kryetari i Partisë Komuniste të Kinës, Çu En Lai, mbrojti Shqipërinë nga sulmi i Nikita Hrushovit. Udhëheqësi rus kishte akuzuar gjeneralin Enver Hoxha, kryetarin e Partisë Komuniste Shqiptare, se po praktikon “kultin e individit” stalinist dhe po shmanget nga politika e jashtme e bllokut. Kryetari Çu En Lai ia ktheu: “Zoti Hrushov nuk ka të drejtë të ndëshkojë publikisht secilin anëtar të bllokut pa bërë më parë konsultime privatisht”. Pekini përkrahu Shqipërinë edhe duke publikuar në shtypin e tij deklaratat antisovjetike të gjeneral Hoxhës dhe të partisë së tij.
Protestat për konfliktin
Artikulli i “Kommunist” nxirrte në shesh se ka patur ngjarje të mëparshme të rebelimit që ishin ndërmarrë nga udhëheqësit shqiptarë në drejtim të Moskës. Artikulli thotë se, “Shqipëria kishte shprehur pakënaqësinë se nuk ishte duke marrë ndihmën e mjaftueshme ekonomike nga blloku sovjetik”. Pas deklarimit se ajo kishte marrë qindra milionë rubla nga vendet komuniste në këto 15 vitet e fundit, në “grante dhe kredi”, artikulli theksonte: “Thelbi i çështjes është se udhëheqësit shqiptarë nisën të bënin kërkesa të tepruara nga Bashkimi i Republikave Sovjetike dhe shtetet e tjera të bllokut, gjë që solli dhunimin e parimeve të reciprocitetit”. Artikulli vazhdon: “Mendjengushtësia dhe egoizmi i Hoxhës dhe Mehmet Shehut (kryeministër i vendit, - shën. red.) realisht gjetën shprehje në fyerjen e tyre ndaj ndihmës së ofruar nga Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera socialiste për te vendet në zhvillim, Azi dhe Afrikë. Ky qëndrim i atribuohej Shqipërisë dhe paralelisht pozicionimit të ndërmarrë nga Pekini në drejtim të ndihmës sovjetike te shtetet jokomuniste të Azisë. Ndonëse Moska ka zgjeruar në shkallë të gjerë asistencën drejt Indisë, Kina komuniste ka qenë e paaftë të marrë prej saj përfitime pasi Rusia është vend i përshtatshëm që të ndihmojë në lehtësimin e plagëve ekonomike. Ekonomia kineze është dëmtuar rëndë nga disfatat me përmasa katastrofike në bujqësi.
Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 11 dhjetor 1961
Titulli është redaksional. Titulli origjinal është: “Rusia tërheq misionin e saj në Shqipëri pas ndarjes së thellë”
Përgatiti: Albert Gjoka
Në numrin e së dielës do të lexoni:
Vrasja në Murin e Berlinit rrit tensionet mes Perëndimit dhe Moskës
Gazeta raprorton për incidentin në zonën përreth Murit të Berlnit, ku vritet një gjermano-perëndimorët
Reagon Moska në lidhje me ngjarjen. Gadishmëri në shtetet kryersore të Perëndimit, dhe veçanërisht SHBA-ja
Refuzohet ndihma e ofruar nga personeli mjekësor për ti dhënë ndihmën e shpejtë të plagosurit nga ushtarët komunistë
Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës
15 Mars 2008