E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juventus, "hija" e Lipit mbron Ferrarën

Fati vjen në ndihmë të Çiro Ferrarës. E ardhmja e trajnerit të Juventusit duket e lidhur ngushtë me rezultatet që skuadra do të regjistrojë në duelin me Interin në Serinë A dhe me Bajernin në Champions. Por, nëse do të vazhdojë të punojë në krye të stolit bardhezi, ai duhet të falënderojë edhe Marçelo Lipin. Tekniku i përfaqësueses italiane pritet të kthehet në klubin torinez pas Kupës së Botës 2010. Lipi mendohet se do të emërohet në postin e drejtorit teknik të klubit dhe detyra e tij është që të mbështesë, të jetë krahu i djathtë, por edhe "babai" i Ferrarës, i cili nuk është shfaqur në nivelin e pretenduar në karrierën e re si trajner. Te Juventusi janë të bindur se dyshja Ferrara-Lipi, e konsoliduar gjatë periudhës disavjeçare që punoi së bashku, është arma më e mirë për ta kthyer skuadrën sërish mes më të mëdhenjve. Në "Vinovo" po presin verën e vitit 2010, por për momentin klubi duhet të përballet me protestat e tifozëve. Në qendrën stërvitore, disa dhjetëra mbështetës mbanin një parullë ku shkruhej: "Me fjalë fitoni titullin, por në fushë luani pa nder".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›